Prezenca e OSBE në Tiranë thotë se nuk është përfshirë në hartimin e draftit për Kodin e Ri Penal.
Në një reagim për Report Tv, OSBE konfirmon se ekspertë të saj nuk kanë marrë pjesë në grupin e punës që hartoi draftin me ndryshimet.
Edhe Këshilli i Evropës i tha Report Tv se nuk ka qenë i përfshirë në procesin e konsultimeve, dhe se do të mbajnë një qëndrim për draftin më vonë.
OSBE thotë se Kodi Penal është një ligj themelor që meriton kohën e duhur për konsultim. OSBE sqaron se ndonëse nuk ka marrë pjesë në përgatitjen e këtij drafti, tashmë është duke e shqyrtuar atë dhe shpreh gatishmërinë për të dhënë rekomandime konkrete.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë. Megjithëse nuk kemi qenë të përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara, ne po shqyrtojmë draftin e disponueshëm dhe jemi të gatshëm t’u ofrojmë rekomandime konkrete qeverisë dhe parlamentit të ri, në përputhje me mandatin tonë për të mbështetur institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”, thuhet në reagimin e OSBE për Report Tv.
Kundër draftit janë shprehur edhe krerë të institucioneve të drejtësisë, si edhe shoqata të gazetarëve. Pas kreut të Gjykatës së Lartë Sadushi ishte Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i cili tha se drafti rrezikon të minojë drejtësinë.
Edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, shprehu rezerva, duke ngritur pyetjen, nëse ka vërtet nevojë për një Kod të ri Penal, apo mjaftojnë përmirësimet në Kodin ekzistues.Në listën e kritikëve është edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Megjithatë drafti ka vetëm 10 ditë në proces konsultimi publik dhe pritet rrugë e gjatë deri në miratim.