Napoli po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të Federico Chiesas nga Liverpooli, sipas raportimeve nga Italia, pasi sulmuesi italian nuk është më pjesë e planeve të kampionëve të Ligës Premier.
Sipas Corriere dello Sport, Napoli ishte në dilemë mes afrimit të një sulmuesi të krahut ose një mbrojtësi të majtë, por pas humbjes së mundësisë për të transferuar Dan Ndoyen te Nottingham Forest, klubi napolitan e zhvendosi vëmendjen te mbrojtësi i Gironas, Miguel Gutierrez.
Megjithatë, marrëveshja për Gutierrezin thuhet se është pezulluar, çka ka bërë që drejtuesit e klubit t’i kthehen pistës përforcuese në repartin ofensivë dhe të analizojnë mundësinë e transferimit të Chiesas.
Chiesa nuk është i vetmi emër në listën e Napolit. Janë përmendur gjithashtu Raheem Sterling nga Chelsea dhe Jack Grealish nga Manchester City si opsione të tjera të mundshme për krahët e sulmit.
Megjithatë, pagat e larta të Sterling dhe Grealish , përkatësisht mbi 10 milionë euro në sezon janë jashtë mundësive financiare të Napolit dhe konsiderohen pengesë reale për negociatat.
Në anën tjetër, Chiesa fiton dukshëm më pak, rreth 6 milionë euro në sezon dhe kjo e bën transferimin e tij shumë më të përballueshëm për klubin napolitan.
Napoli po e sheh Chiesan si një përforcim ideal në sulm, veçanërisht nën drejtimin e Antonio Contes, i cili kërkon më shumë intensitet dhe cilësi nga lojtarët e krahut për sezonin e ri në Serie A.
Chiesa ka punuar më parë me Conten dhe është i entuziazmuar për tu rikthyer në Serie A.