Pas spektaklit madhështor të mbrëmjes së djeshme në “Sunny Hill Festival”, ku ishte ylli kryesor i natës, Shawn Mendes jo vetëm elektrizoi skenën me performancën e tij, por edhe zemrat e publikut.
Shawn, i cili vetëm 25 vjeç ka arritur kulmet e industrisë muzikore, është një ndër artistët më të suksesshëm të dekadës së fundit.
Me hite si “Stitches”, “Treat You Better”, “There’s Nothing Holdin’ Me Back” dhe “Señorita” – një duet që theu çdo rekord me Camila Cabello – ai numëron miliarda dëgjime në platformat digjitale dhe një listë të gjatë çmimesh prestigjioze.
Mendes është gjithashtu një nga artistët më të rinj në histori që ka debutuar me katër albume radhazi në krye të toplistës Billboard 200, një arritje që e vendos krah emrave më të mëdhenj të muzikës botërore.
Por, ndonëse një superstar i certifikuar në çdo kuptim të fjalës, sot ai tregoi anën tjetër të medaljes – atë njerëzoren. Mëngjesin pas koncertit të madh, ai është parë në një nga lokalet e njohura në lagjen Marigona në Prishtinë, duke shijuar një kafe së bashku me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Artisti kanadez u bë pjesë e atmosferës vendase, pa kurrfarë ndarje mes “yllit” dhe njerëzve të zakonshëm.
Dhjetëra qytetarë që e panë nga afër, nuk e lanë pa e ndalur për një fotografi – dhe Shawn nuk zhgënjeu askënd. Me buzëqeshje dhe përzemërsi, ai u mor me të gjithë, duke lënë përshtypjen e një artisti që, përkundër famës globale, mbetet i tokës dhe i dashur.
Sonte, nata përmbyllëse e festivalit u takon ritmeve elektrizuese të DJ superstares me famë ndërkombëtare Peggy Gou. Një finale që pritet të mbyllë me stil një edicion të jashtëzakonshëm, i cili solli në Prishtinë mijëra turistë nga e gjithë bota dhe i dha kryeqytetit kosovar vëmendje të padiskutueshme ndërkombëtare.