Ballina Opinion Shqipëria në udhëkryq!

Shqipëria në udhëkryq!

20
0

Nga Denis Dyrnjaja

Sot në Shqipëri ka shërbime të larmishme nga më të voglat deri te më të ndërlikuarat. Shqipëria e çokollatave Hilal turke të viteve ’90, karrocave me qofte dhe kioskave me hekura mbyllur si burg, sot është vitrinë luksoze e investimeve në shërbime, ndërtim, tregëti, bujqësi, blegëtori, turizëm, zejtari etj. Dhe të gjitha këto janë një fakt dhe fryt i egos për zhvillim të vetë shqiptarëve, që me mënyra të ndryshme kanë shtyrë përpara zhvillimin individual, për rrjedhojë edhe atë komunitar dhe më gjerë në dimension kombëtar.

Por a ka themel apo dysheme solide ky zhvillim që më shumë është instiktiv dhe intuitiv, se sa strategjik dhe i planifikuar?! Sot Shqipëria nuk është as vend industrial, as vend bujqësor, thuhet se është vend me turizëm të zhvilluar dhe me industri ndërtimi të përparuar. Por a mund te mbështesim te ardhmen dhe peshën e buxhetit të shtetit në këta dy sektorë?!

Zakonisht shtete me tradita dhe akademi të zhvilluar shkencash dhe njerëz të mendjes, i kanë përcaktuar qartë objektivat afatgjatë se çfarë do të jenë këto shtete, çfarë do të prodhojnë dhe ku do mbështeten për ekonominë e tyre. Ne jo vetëm që nuk kemi një strategji të qartë, të mirëpërcaktuar dhe mirëorientuar, por kemi mbetur ende në inercinë e improvizimit që ec dhe vepro se rrugës shohim çfarë do ndodhë.

Ky nuk është me vizion, ky është iluzion. Dhe të ecësh me iluzione, ato mund të jenë të bukura nëse bëhen realitet, por mund të jenë edhe të humbura nëse dështon. Vetëm se nëse qëllon kjo e dyta pasojat janë katastrofale për ekonominë dhe popullin. Psh sektori ndërtimit ku raporti mes ofertës dhe kërkesës është me nje hendek te frikshëm, është treguesi më i fortë i inercisë dhe improvizimit.

Sot po rendim me shpejtësi drejt vlerës 60 mijë njësi banimi bosh dhe po jepen me shume leje ndërtimi, patur sens dhe logjikë përse dhe për çfarë duhen? Tregu nuk e imponon këtë kërkesë të madhe për ndërtime të reja, pasi stogu i tyre vijon të rritet, paralel me të edhe kërkesa për ndërtme të reja, veçanërisht kulla.

Po kush është i interesuar për te ndërtuar kulla. Analistët e tregut dhe ekonomistët besojnë se bota kriminale po tenton të pastrojë paratë në këtë sektor. Por edhe nëse marrim këtë tezë ai që fut paratë në një kullë, psh 5 ml euro, si do t’i marrë mbrapsht të pastra? Si apartmente nga ndërtuesi, ligji i ekspozon të dy në këtë rast, operacioni është i dështuar që në koncept, pra është e pamundur të funksionojë si skemë pastrimi parash kjo mënyrë e cila është e vetmja, por duke rriskuar konfiskimin dhe burgun bashkë me të.

Atëherë ndërsa ndërtimi na rezulton me goxha paqartësi si sektor, përse investohet, çfarë dhe kush po përfiton? Se i vetmi që duhej të përfitonte nga kjo larmi tregu është individi i shtresës së mesme dhe të ulët. Por praktikisht pakkush mund të blejë një shtëpi pasi, nuk ja del dot as me pagë dhe as me punë të ndershme të marrë e shlyej një kredi e cila në rastin më të mirë mund do t’i kushtojë 25 vjet punë nga jeta e tij. Pra një 25 vjeçar që krijon familje do të duhet të punojë deri 50 vjeç pa ndërprerje që të shlyejë kredinë e shtëpisë, gjithnjë nëse banka e krediton dhe ai është me fat që të ruajë marrëdhënie pune pa ndalim.

Në këto kushte gjithçka duket thuajse e pamundur. Por ndërkohë nuk duhet të harrojmë dy pyetje shoqëruese, përse vijojmë të ndërtojmë dhe kush po blen ose do blejë shtëpi në Shqipëri? Disniveli social e shoqëror po rritet, presioni shtyn të pamundurit drejt ikjes nga vendi.

Popullata po plaket, vendi përballet me rrezikun e përthithjes nga falimentimi i skemës së pensioneve, pasi raportet kontributorë/përfitues po thellohen në favor të të dytëve me shpejtësi. Atëherë ndërtimi nuk duket se është as alternativë për t’u mbështetur si industri, as alternativë për të krijuar bazën që njerëzit të mos largohen nga vendi.

Bujqësia është një alternativë për t’i dhënë Shqipërisë një fytyrë si vend prodhues bujqësor, me fuqi për mbështetjen e buxhetit të shtetit. Por edhe këtu nuk kemi bindje afatgjatë, megjithë kontributin e madh të bujqësisë në prodhimin e përgjithshëm bruto GTP. Sërish dhe në këtë sektor ka angazhim dhe shembuj suksesi, por jo aq sa për të thënë se ky është themeli i ekonomisë dhe mund të jetë ne vazhdimësi. Të rinjtë nuk preferojnë më të punojnë toka në sera se kanë shembuj të tjerë referencialë, me kontributin fatal edhe të medias që promovon tërësisht modele të gabuara jetese dhe suksesi.

Vijmë te turizmi. Po, Shqipëria është një vend i i bukur nga natyra dhe i bekuar nga zoti për pozicionin gjeografik. Por a mjafton kjo? Jo. Investimet edhe në këtë sektor janë galopante, por pa vizion dhe strategji. Jemi ende nje vend me turizëm të pastandardizuar. Mjafton të përmendësh vetëm faktin se yjet e hoteleve që praktikisht në të gjithë botën vlejnë për të përcaktuar edhe çmimet por edhe standardet e akomodimit, vendosen rrumpallë nga vetë pronarët sipas dëshirës se tyre, në rastin më të keq dhe në mënyrë manipulative nga Ministria Turizmit në rastin me të mirë. Jemi tërësisht je kaos standardesh në hoteleri.

Turizmi është koncertuar më shumë si qoka për biznesmenët që para se të ndërtojnë kanë blerë një Bentley apo Rolls Royce, pa hedhur ende shtresën e parë të betonit te cilin e paguajnë zakonisht me këstet e klientëve që blejnë që në gropë, sikurse është bërë dhe traditë si shprehje. Këtu pastaj nuk po diskutojmë raportet cilësi/shërbim/çmim që lëvizin dhe improvizohen sipas filozofisë së çdo pronari.

Kjo bën që tregu turistik nga viti ne vit mos te jetë i njëjtë, të këtë luhatje të mëdha e të mos japë garanci për të ardhmen se ekonomia mund të mbështetet në turizëm. Këtu nuk po fusim rrisqe madhore të tipit, pandemi globale (covid psh), tërmete, konflikte e luftëra apo çdo lloj fuqie tjetër të paparashikuar madhore.

Industria. Ky sektor është një hibrid i çuditshëm për Shqipërinë. Kemi nëntokë të pasur, por mbitokë të varfër. Kemi naftë e minerale, por keqpërdorimi i tyre si burime dhe si menaxhim nuk i ka shërbyer as shtetit për taksat që duhej të kishte vjelë dhe as mirëqenies së shqiptarëve në tërësi, por veçanërisht banorëve të zonave në qytetet ku është prezente kjo industri. Bankers është rasti tipik që ka gjeneruar në 20 vjet mbi 5 miliardë dollarë dhe ka deklaruar, humbje po për kaq vjet dyfishin e kësaj shume pra rreth 11 miliardë dollarë.

Atje ku nxirret si naftë si minerale nga nëntoka, banorët dhe vetë qytezat mbi tokë janë në pikë të hallit. Ata që përfitojnë, janë burokratë shteti qe lëshojnë lejet, janë njerëz te botës së krimit apo individë që përforcojnë përmes mashtrimit apo korruptimit. Kjo është lehtësisht ehtësisht e provueshme nëse prokuroria heton.

Por nëse nuk ke industri, turizëm dhe bujqësi të strukturuar, ku duhet te mbështetet ky vend dhe ardhmja e tij. Kur këta sektorë zotërohen nga individë apo klane njerëzish cila është alternativa? Ka një zgjidhje që shqiptarët nuk duhet të ikin, të investojnë e kontribuojnë per vetë dhe për një alternativë afatgjatë.

Ky vend eksporton çdo vit drejt vendeve të tjera kryesisht Gjermanisë me dhjetëra, qindra te rinj që akomodohen në shëndetësi. Sipas instant ne 10 vitet e fundit janë rreth 500 mijë shqiptarë që kanë lënë vendin.

Shqipëria ka kualitete të forta dhe të rinj me kapacitete të fuqishme, që mund ta shndërrojnë këtë vend në një industri të mjekësisë. Duhet ndërtuar një strategji e politika të posaçme që të trajtohet ky sektor si prioritet, pasi do të ndalte edhe hemorragjinë emigratore, do hapte vende pune me shumicë, do krijonte standarde jetese, do grumbullonte taksa të majme dhe do t’i shërbente edhe sektorëve të tjerë të shërbimeve të ndërvarura direkt ose indirekt prej tij.

Pra konkluzioni është i thjeshtë duhet përcaktuar një sektor prioritar për të cilin punon e gjithë shoqëria dhe shteti në themel arsimi. Dhe indikatorët na çojnë drejt mjekësisë dhe shërbimeve të saj direkte dhe indirekte. Deri tani është provuar me sukses në disa sektorë të estetikës. Turizmi mjekësor është shembull suksesi vazhdimësie dhe rritjeje. Shërbimet dentare me kualitet dhe çmime konkurruese e kanë kthyer Shqipërinë në vendin e preferuar për këto shërbime. Me dhjetëra ye huaj dynden për të marrë këto shërbime ne Shqipëri. Por njëkohësisht ata ushqehen dhe flenë, në ditët e qëndrimit, pra përfitojnë edhe shërbime të tjera.

Shqipëria ka mjekë e profesorë e mund të nxjerrë në vazhdimësi kirurgë të shkëlqyer, kardiologë, neurologë, ortopedë, onkologë, urologë, infeksionistë, dermatologë, e shumë të degë pa përmendur këtu bumin e infermierëve që kanë mbushur spitalet e shteteve te tjera duke shërbyer në mënyrë të shkëlqyer. Kjo do të thotë se burimet njerëzore dhe kualitetin e kemi këtu, thjeshtë duhen kanalizuar dhe projektuar në mënyrë eficente.

Pra Shqipëria nuk ka përse të jetë vendi i betonit, drogës dhe korrupsionit, por lehtësisht mund të shndërrohet në vend ku shpëtohen jetë, ndërtohen jetë dhe begatohen jetë. Është vetëm çështje vizioni dhe vendimmarrjeje politike. E ka bërë Turqia, e ka bërë Austria, e ka bërë SHBA e ka bërë Kina apo India. Ne jemi një vend i vogël me mundësi të mëdha, pra mund ta bëjë edhe Shqipëria.