Ballina Aktualitet Skandal në RTSH! Vasili shkresë Financave për fonde shtesë: 8 milionë euro...

Skandal në RTSH! Vasili shkresë Financave për fonde shtesë: 8 milionë euro abuzime, rrezikohen pagat dhe kontratat

0
24

Radiotelevizioni Shqiptar është zyrtarisht në krizë të thellë financiare. Drejtoresha e re, Eni Vasili, në muajt e parë të detyrës ka konstatuar situatën alarmante në një komunikim të brendshëm zyrtar, duke pranuar se mungesa e likuiditeteve rrezikon pagesat ndaj punonjësve dhe kontraktorëve të jashtëm.

Problemet vijnë pas një periudhe të trazuar me shkarkime, emërime dhe abuzime të njëpasnjëshme, ku menaxhimi i institucionit ka qenë jo vetëm i pakontrolluar, por edhe i dëmshëm financiarisht.

Bilanci negativ deri më tani përfshin 730 mijë euro të humbura nga detyrime për punonjës të pushuar, rreth 3.3 milionë euro rrezik për dëmshpërblime nga proceset gjyqësore në vijim, si dhe afro 4 milionë euro humbje nga kontratat për të drejta televizive, ku mbi gjysma janë shpenzime të paplanifikuara.

Në total, RTSH ka humbur afro 8 milionë euro nga menaxhimi i mëparshëm – gati 1/3 e buxhetit vjetor, që kap vlerën e 25 milionë eurove.

Në një letër zyrtare drejtuar Ministrisë së Financave, Eni Vasili ka kërkuar 2 milionë euro financim shtesë për vitin 2025, por më e rëndësishmja është premtimi i saj për një auditim të plotë të strukturës dhe projekteve, për të zbardhur përgjegjësitë dhe ndalur gjakderdhjen financiare.

“Nuk është vetëm financimi i ulët nga tarifat që paguajnë qytetarët problemi. Situata e rënduar financiare vjen nga mosrealizimi i të ardhurave dhe abuzimet masive me fondet publike”, thekson Vasili në kërkesën zyrtare.