Ballina Aktualitet Altin Prenga i përgjigjet Fevziut: Turizmi shqiptar është në një nga momentet...

Altin Prenga i përgjigjet Fevziut: Turizmi shqiptar është në një nga momentet më të mira

37
0

Pas deklaratës së gazetarit Blendi Fevziu, i cili u shpreh se “turizmi në jug të Shqipërisë ka dështuar këtë vit”, ka ardhur një reagim ndryshe nga veriu, konkretisht nga Altin Prenga, themeluesi i agroturizmit të njohur Mrizi i Zanave.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Prenga thekson se turizmi shqiptar, përkundër perceptimeve pesimiste, po kalon një nga periudhat më të mira.

“Sukses nuk do të thotë me mbush çdo shezlon apo çdo objekt prej betoni. Po na vijnë miq të mirë, ndoshta edhe më të mirë se ç’i meritojmë”, shkruan ai.

Ai nënvizon se cilësia dhe përkushtimi janë thelbi i një turizmi të qëndrueshëm, jo vetëm numrat apo grumbullimet masive. Sipas tij, struktura të mirëfillta turistike në të gjithë vendin, nga jugu në veri, janë të mbushura plot dhe po japin fryte.

Prenga dha edhe një mesazh për ata që e shohin turizmin thjesht si një mundësi për fitim të shpejtë:

“Ata që e shohin turizmin vetëm si mënyrë pasurimi, pa pasion e përkushtim, uroj të kenë më pak punë. Ndoshta konkurrenca do i detyrojë të bëhen më mikpritës, më të ndershëm në çmim dhe të kthehen te identiteti.”

Ai bën të ditur se dhomat në Mrizi për gusht janë të prenotuara prej 5 muajsh, dhe megjithëse mund t’i kishin shitur dyfish më shtrenjtë, nuk e kanë bërë. Përkundrazi, ai thotë se po i orientojnë mysafirët te bujtinat përreth, që të përfitojë e gjithë zona.

Ky reagim vjen si një kundërpeshë ndaj zërave që flasin për dështim të turizmit, duke vënë në pah një realitet tjetër: atë të mikpritjes së ndershme, zhvillimit lokal dhe ruajtjes së identitetit.