Ballina Ekonomia Ankand 50 mln dollarë/ Albpetrol nxjerr 100 mijë tonë naftë në shitje

Ankand 50 mln dollarë/ Albpetrol nxjerr 100 mijë tonë naftë në shitje

65
0

Kompania shtetërore e naftës, Albpetrol, shpalli një ankand për shitjen e 100 mijë tonëve naftë. Sipas dokumentave të shpallura në Agjencinë e Prokurimeve Publike, nafta të cilën Albpetrol e përfton nga prodhimi i vet, por edhe nga kompanitë koncesionare do të nxirret në shitje me një çmim dysheme sa 77.45 % e Çmimit Brent plus një koeefiçent K, në kushtet Free On Board, FOB.

Koeeficenti K është çmimi me të cilin garojnë kompanitë në ankand, ku blerësi që ofron koefiçentin më të lartë shpallet fitues. Ndërsa në pikat e lëvrimit, çmimi minimal fillestar për njësi është 77.45 % e Çmimit Brent – 4.04 USD/bbl + K.

Në formulën dysheme, Brent përfaqëson çmimin në USD/fuçi i Brent i Platts, i publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik, -4.04 USD/fuçi është kosto mesatare totale (transport, magazinim, stokim, analizim produkti, sigurim), ndërsa K është vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K˃0)” thuhet në dokumentet e ankandit.

Sipas dokumentave të ankandit, vendndodhja e naftës brut është në Albpetrol sha Patos, përkatësisht në pikat e lëvrimit: Stacioni Usojë, Stacioni Visokë, Stacioni Gorisht, Stacioni Zharrëz, Stacioni Kuçovë, Stacioni Amonicë.

Ankandi për shitjen e naftës do të mbahet 8 gusht në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me ofertat që do të hapen në orën 11:00.

Aktualisht çmimi Brent i naftës bruto luhatet rreth nivelit 510 dollarë për tonë, që do të thotë se përmes këtij ankandi, Albpetrol pritet të arkëtojë minimalisht 50 milionë dollarë.

Prej vitesh Albpetrol nuk derdh asnjë lek në buxhetin e shtetit dhe pothuajse të gjitha të ardhurat që kompania shtetërore siguron nga shitja e naftës shkojnë për të financuar rrogat, por edhe shpenzimet e tjera të saj./kapitali