Ballina Kulturë Piktura si dëshmi shpirtërore dhe kujtesë kolektive: Vepra e pavdekshme te Xhevdet...

Piktura si dëshmi shpirtërore dhe kujtesë kolektive: Vepra e pavdekshme te Xhevdet Spahijajt

24
0

Nga Gjon Marku 

Në një kohë kur arti rrezikon të zhytet në konsum dhe pamja virtuale paraqet një përballje drithëruese me shpirtin njerëzor dhe kujtesën kolektive, rrallë ndodh që piktura të mos kërkojë një shikim estetik dhe një akt përjetimi të thellë emocional e reflektimi historik.

Ajo që e bën të veçantë pikturën e Xhevdet Spahijajt, dhe që e dallon nga pikturat e autorëve të tjerë, është pikërisht stili i tij i veçantë, unik dhe novator. Ky stil lidhet mjeshtërisht me transmetimin e ëndrrave dhe ndjesive të tij shpirtërore, që qysh herët në pikturën e tij realiste është ndërlidhur me rrethanat sociale, historike apo me epokën dhe kohën në të cilën ai jeton. Por përmes një përsosmërie artistike të pakrahasueshme, ai arrin të realizojë vepra me vlera të mëdha artistike.

Edhe piktura simbolike e tij, që është një aspekt tjetër i rëndësishëm në krijimtarinë te Spahija, spikat si një kujtesë e përflakur – një rrëfim i vizatuar me dritë dhe dhimbje, ku mediumi i ngjyrave shndërrohet në një vlerë të heshtur që flet me zërin e përvuajtjeve.

Vetë pikturat e tij sugjerojnë një botë ëndërrimtare, ku realiteti ndërthuret dhe përzihet me fantazinë krijuese tërësisht të vetëdijshme. Mbushja e telajos me ngjyra të shumta krijon një atmosferë magjike me elemente artistike, ku idetë materializohen përmes skemave fantastike, nëpërmjet të cilave kuptojmë thelbin e mendjes dhe ndjesisë njerëzore. Çdo vepër mbart ndjesinë rrëqethëse të një artisti që i ka kushtuar dekada të tëra krijimtarisë jo për të zbukuruar, por për të dëshmuar në shumë raste rrugëtimin tonë historik, dramatik dhe shpesh tragjik.

Xhevdet Spahijajt i zhduk kufijtë midis botës reale dhe asaj ireale. Në pikturën e tij vizualizohet një botë e përshkuar nga ndjeshmëria dhe përjetimi individual, të cilat përçohen te shikuesi si vlera artistike ku mbizotëron një atmosferë romantike, e çliruar nga kufijtë e realitetit. Ai di të na tërheqë përmes një itinerari shpirtëror dhe historik, ku piktura nuk është vetëm një medium vizual, por shndërrohet në një gjuhë komunikimi dhe përjetimi të thellë emocional.

Në telajot e mbushura me ngjyra, ku dritëhijet harmonizohen dhe krijojnë mrekullisht një spektakël ngjyrash, dominojnë ndjenjat – dhimbja, gëzimi, vizioni, ndjesia -me një thellësi të papërsëritshme.

Përdorimi i ngjyrave të forta dhe kontrasteve të theksuara bën të mundur gjurmimin e marrëdhënieve njerëzore me kujtesën dhe botën ëndërrimtare e të çuditshme. Këto krijojnë një skenë të fragmentuar, me një magji të mrekullueshme, që edhe pse duket se dalin nga realiteti, në të vërtetë ndikojnë që ai të kuptohet më thellë. Kështu, piktura kthehet në një vlerë parësore, ku krijohet një univers i realizuar përmes ëndrrës dhe talentit individual, si pasqyrim i ndjenjave dhe përvojës personale.

Teksa e vështron pikturën e Xhevdet Spahijajt, të duket se futesh thellë në psikologjinë e popullit shqiptar. Kjo botë i vjen afër publikut artdashës, turistëve dhe koleksionistëve të artit pamor. Vetë veprat janë një shprehje e asaj që arti ruan dhe sjell si një instrument ndjesor dhe i gjallë, po aq sa vetë jeta. Çdo rrudhë në portretet e tij bart një pjesë të kujtesës, të humbjes apo të kërkimit për dritë, dhe nuk mund të kuptohet jashtë përvojës së tij jetësore dhe trajektores kolektive shqiptare.

Portretet e Xhevdet Spahijajt shquhen jo vetëm për teknikën origjinale të konceptimit të tyre, por edhe për zhbirilimin psikologjik të personazhit. Sidomos në zhanrin e portretit, ku është e domosdoshme njohja e thellë me personazhin, në mënyrë që karakteri i tij të spikasë, të jetë sa më natyrshëm i veshur me një petk çiltërsie dhe vërtetësie. Vetë ato rreken të krijojnë një karakter të gjallë, të mishëruar, të pajisur me jetë dhe ndjenjë.

Gjithsesi, e gjithë piktura e tij shquhet për thellësinë e një përvoje të gjatë në ndërtimin e diskursit vizual ndërmjet njeriut të thyer dhe kërkimit për dritë si metaforë e shpërthimit shpirtëror.

Nëpërmjet magjisë së pikturës së tij, dritëhijeve dhe peshës së penelit të mishëruar mbi kanavacë, ai na çon në një kohë të pajetuar, duke na bërë pjesë përbërëse të saj. Ky udhëtim ndijor dhe mbresëlënës na shoqëron në heshtje nëpër veprat e këtij autori, duke na futur në shtigjet e magjisë shpirtërore. Në procesin krijues, shndërrimi i imazhit në vepër arti kalon përmes vibrimeve ndjesore, duke i ofruar publikut jo vetëm një fushëpamje, por edhe një përjetim që prek në thellësinë e shpirtit.

Kështu, veprat e këtij autori kthehen në të pavdekshme, duke ndërtuar një urë lidhëse midis të shkuarës dhe të tashmes, si kronika të heshtura të më të bukurës për t’u përjetuar. Ato janë një rikujtesë përmes një vizioni personal, ku arrihet një çlirim i plotë nga skemat kufizuese, duke synuar një kërkim të vazhdueshëm për kuptimin dhe domethënien.

Ajo që e bën të papërsëritshme pikturën e tij është zhytja në thellësinë e realitetit, për të nxjerrë prej tij thelbin dhe vlerën universale.

Vetë artisti shtyhet të reflektojë mbi vlerat e artit, ku suksesi matet me thellësinë e përmbajtjes dhe me kalimin e gjithçkaje përmes filtrave mendorë. Të jesh artist do të thotë të përballesh me vetveten dhe me botën përreth.

Xhevdet Spahijajt, përmes magjisë së pikturës dhe cilësisë së lartë artistike, na shpie në një kohë të pajetuar, por që falë veprave të tij na mundëson një udhëtim sa ndijor, aq edhe mbresëlënës. Pamjet në telajo janë të përsosura edhe kur janë të plagosura; ato flasin nëpërmjet një simbolike shpesh të mbyllur, që kërkon reflektim të thellë. Ato mund të perceptohen si në ikje apo si në një moment reflektimi të dhimbjes dhe të tmerrit.

Në pikturën e Xhevdet Spahijajt mund të vërehet një “pikturë e dytë” apo një “realitet i dytë” – një shtresë e fshehtë përmbajtjeje, ku shfaqet shpirti dhe ndjesia për t’u përjetuar.

Është pikërisht standardi përmbajtësor, ndërthurja e elementeve artistike, si dhe aftësia vibruese e ngjyrave gjatë procesit krijues, që përforcojnë marrëdhënien e ngushtë e të pandashme midis krijimtarisë që buron nga nënvetëdija dhe pasqyrimit të procesit artistik. Ai nuk riprodhon thjesht momente, por ndërton ura mes të shkuarës dhe të tashmes, duke i dhënë imazhit kuptim poetik dhe emocional.

Shpesh dashuria në pikturat e tij shfaqet si një ndjenjë sublime, që çliron njeriun nga rutina dhe e çon drejt një dimensioni tjetër, duke krijuar një ndjesi mitologjike, të magjishme.

Në aspektin simbolik, veprat e tij përmbajnë një strukturë komplekse, ku simboli nuk është thjesht mjet shprehës, por një akt memorie dhe ndërgjegjeje për realizimin e një arti të qëndrueshëm. Shpesh ai ndriçon veprën me dritë të veçantë, duke krijuar kontraste të forta mes errësirës dhe dritës, dëshpërimit dhe shpresës, reales dhe abstraktes.

Në këtë tension dual, Xhevdet Spahijajt ndërton individualitetin e tij artistik, duke synuar që vepra të marrë vlera universale dhe jetëgjatësi. Kjo arrihet përmes një tensioni të brendshëm mes figurës së realizuar dhe asaj abstrakte, që përfaqëson jo vetëm përvojën pamore, por edhe dimensionin psikologjik dhe emocional të artistit.

Edhe në ato raste kur dominon e errëta, ajo nuk është errësirë fizike, por psikike, kolektive – një përfaqësim i të keqes. Ajo vjen krahas njerëzores si një testament emocional dhe estetik, ku dominon përpjekja për të kuptuar njeriun në betejën e tij me dhunën, harresën, absurditetin dhe të pamundurën.

Kështu, piktura e tij më shumë përjetohet sesa shihet. Është një sintezë e rrallë, një përmbledhje e një rrugëtimi të gjatë artistik, që shënjon jo vetëm pjekurinë krijuese të autorit, por edhe gatishmërinë për të qëndruar i lidhur me plagët që dhembin dhe e lartësojnë njëkohësisht.

Vepra e Xhevdet Spahijajt, edhe pse e gjerë dhe e larmishme, prek thellë ndjeshmërinë njerëzore. Ai e kthen artin në një mit të vendosur në një natyrë dhe realitet konkret, duke i qëndruar besnik simbolikës. Megjithëse qëndron modest dhe nuk kërkon lavdi me bujë, ai është një dëshmitar që ka derdhur shpirtin përmes ngjyrave dhe dritëhijeve, përjetimeve dhe reflektimeve – për të na kujtuar se arti i vërtetë nuk lind rastësisht dhe as lehtësisht, por nga plagët që kërkojnë të shndërrohen në kuptime dhe përjetime të jashtëzakonshme.

Sa më shumë kalon koha, piktura e tij bëhet më e heshtur dhe më e fuqishme. Siç është i fuqishëm ndikimi psikologjik dhe emocional që ajo lë tek njerëzit.

Teksa vezhgon apo ndodhesh përballë pikturave të Xhevdet Spahijajt, veçanërisht atyre me veshje popullore nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë, pa dyshim mund të thuhet se rrallëherë mund të gjesh një spikatje dhe mjeshtëri kaq të lartë në trajtimin e tyre. Edhe pse kjo tematikë është trajtuar që nga Dhimitër Mborja afro 100 vite më parë, si dhe nga Ismail Lulani e dhjetëra piktorë të tjerë, Saphiaj arrin ta sjellë me një origjinalitet dhe thellësi të veçantë.

Piktura e Xhevdet Spahijajt është shumë më tepër se një formë e bukur e shprehjes vizuale – ajo është një dëshmi e gjallë e ndjeshmërisë, historisë dhe shpirtit njerëzor. Përmes ngjyrës, dritës dhe simbolikës së thellë, ai nuk krijon vetëm imazhe, por ndërton botë të tëra ku shikuesi mund të humbasë e të rifitojë veten në të njëjtën kohë.

Në telajot e tij gjejmë zërin e kohëve të vështira, por edhe shpërthimin e shpresës; ndjejmë dhembjen, por edhe kapërcimin e saj; vërejmë njeriun, të thyer e të ringritur, që përpiqet ta kuptojë botën dhe veten. Ajo çfarë e bën veprën e tij unike është mënyra se si e kthen përjetimin individual në një përvojë kolektive, universale.

Xhevdet Spahijajt, përmes një arti të sinqertë dhe të pjekur, na kujton se arti nuk është luks, por nevojë e thellë shpirtërore. Ai nuk është një zbukurim i realitetit, por një përpjekje për ta kuptuar atë. Veprat e tij nuk janë thjesht për t’u parë, por për t’u ndjerë – për të na kujtuar se, edhe në errësirë, ekziston gjithmonë një dritë që na fton drejt reflektimit, përjetimit dhe njerëzores.