Ballina Kulturë Restaurimi i Muzeut Historik Kombëtar, Gonxhja: Rikthejmë një institucion të denjë për...

Restaurimi i Muzeut Historik Kombëtar, Gonxhja: Rikthejmë një institucion të denjë për të treguar historinë tonë

14
0

Pas viteve sfidash dhe dëmtimeve, përfshirë tërmetin e vitit 2019, Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ka hyrë në fazën e restaurimit dhe rikonstruksionit. Ky projekt po realizohet në kuadër të programit EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ministri Blendi Gonxhja ndau pamje nga punimet dhe projekti përfundimtar, duke theksuar se objektivi është ta kthejnë Muzeun në një institucion dinjitoz e bashkëkohor.

“Po rikthejmë Muzeun Historik Kombëtar në një institucion dinjitoz dhe bashkëkohor, të denjë për të ruajtur dhe treguar historinë tonë kombëtare”, shkruan Gonxhja.

Ndërhyrjet e fazës së parë përfshijnë:

Paketimin dhe evakuimin e artefakteve;

Konsolidimin dhe përforcimin strukturor;

Restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni, xhaketim kolonash);

Rinovimin e çatisë dhe izolimin;

Instalimin e sistemit të monitorimit me kamera.

Faza e dytë do të shtojë laboratorë e hapësira teknike nëntokësore, fasadën e brendshme prej xhami Oculus, mbulesën ikonike, sisteme moderne të mbrojtjes nga zjarri dhe muzeologji bashkëkohore.

Muzeu Historik Kombëtar u mbyll më 15 mars 2024 për t’iu nënshtruar rivitalizimit të objektit, proces që do të marrë 4 vjet. Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë është hapur më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh dhe i rëndësishëm në Shqipëri.