Koncesioni i Kontrollit Mjekësor Bazë gjeneroi 2.45 milionë euro fitime neto për pronarët e tij, gjatë vitit të kaluar. Të dhënat e marra nga bilanci zyrtar i dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se fitimet e Check Up-it u zgjeruan me 34 për qind gjatë vitit të kaluar, kryesisht falë uljes së shpenzimeve.
Sipas bilancit, kompania koncesionare arkëtoi 730 milionë lekë ose 7.5 milionë euro (1 euro= 97 lekë) nga buxheti i shtetit gjatë vitit të kaluar si tarifë për kontrollin mjekësor të popullsisë. Ndërsa shpenzimet totale të saj ranë në 492 milionë lekë duke përfshirë dhe tatimin mbi fitimin e paguar.
Koncesioni i kontrollit mjekësor bazë të popullsisë zotërohet nga kompania 3P Life Logistics. Kjo e fundit zotërohet nga dy aksionerë. Ato janë kompanitë Marketing & Distribution me 80 për qind dhe Trimed me 20 për qind.
Marketing & Distribituion është një kompani nën pronësinë e Vilma Nushit, ndërsa Trimed zotërohet përgjysmë nga Gentiana Peshkatari dhe Endrit Hido. Ky i fundit është nipi i Vilma Nushit, çka do të thotë se familja Nushi zotëron 90 për qind të koncesionit fitimprurës të Check Up-it.
Ky koncesion është prej disa vitesh nën hetim për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme. Por teksa prokurorët e SPAK hetojnë, aksionerët e Check Up-it fitojnë para. Madje duke i tërhequr ato jashtë kompanisë.
Sipas të dhënave të bilancit, dy aksionerët e koncesionit tërhoqën thuajse 2 milionë euro si dividentë nga fitimi i vitit të kaluar./ kapitali