Fitimet e bankave shqiptare u ulën me 8.8 për qind në gjysmën e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar teksa rënia e normave të interesit po i jep fundit periudhës së artë të tre viteve të shkuara.
Të dhënat zyrtare nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit fitimi total i 11 bankave shqiptare rezultoi 17.7 miliardë lekë ose 182 milionë euro nga 199 milionë euro që ishte për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (1 euro=97 lekë).
Sipas të dhënave, rënia e fitimeve ka prekur thuajse të gjitha bankat, me përjashtim të Bankës Amerikane të Investimeve. Fitimi i ABI Bank për 6 mujorin u rrit në 21.7 milionë euro nga 15.8 milionë euro që ishte në 6 mujorin e parë të 2024-ës duke u zgjeruar me rreth 37 për qind në terma vjetorë.
Banka Amerikane e Investimeve ose Abi Bank siç njihet ndryshe është e fokusuar kryesisht në kredidhënien për bizneset. Rreth 87 për qind e portofolit të huasë së kësaj banke është për biznesin, veçanërisht në sektorët e ndërtimit dhe turizmit, përfshirë projektet e mëdha koncesionare, një strategji e cila me sa duket këtë periudhë po shpërblen.
Ndërkohë për sa i përket bankave të tjera, OTP Bank dhe Tirana Bank kanë ruajtur rezultatet financiare të vitit të kaluar me një rënie të lehtë të fitimit, ndërsa fitimi i bankës më të mëdha të vendit, BKT, shënoi një rënie me gati 18 për qind duke zbritur në 39.7 milionë euro në gjysmën e parë të vitit.
Megjithatë pavarësisht rënies së shënuar në gjysmën e parë të vitit, fitimet e bankave shqiptare mbeten në nivele relativisht të larta, një tendencë kjo e nisur që pas rritjes së interesave që solli dallga globale inflacioniste e vitit 2022./Kapitali