Ballina Bota Bill dhe Hillary Clinton thërriten si dëshmitarë për rastin Epstein

Bill dhe Hillary Clinton thërriten si dëshmitarë për rastin Epstein

12
0

Një komision i Kongresit në SHBA ka thirrur ish-presidentin Bill Clinton dhe ish-sekretaren e Shtetit Hillary Clinton për të dëshmuar në lidhje me hetimet për çështjen e pedofilit të vetëvrarë Jeffrey Epstein.

Thirrjet zyrtare për dëshmi u lëshuan të martën, më 5 gusht, nga kreu i Komisionit të Mbikëqyrjes, James Comer, i cili gjithashtu ka kërkuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë të dorëzojë të gjitha dokumentet dhe komunikimet që lidhen me Epstein, si dhe çdo shkëmbim zyrtar mes administratës së Presidentit Joe Biden dhe Departamentit në lidhje me këtë çështje.

Përveç çiftit Clinton, janë thirrur të dëshmojnë edhe ish-drejtorët e FBI-së, James Comey dhe Robert Mueller, si dhe ish-prokurorët e përgjithshëm Loretta Lynch, Eric Holder, William Barr, Jeff Sessions dhe Alberto Gonzales.

Hetimet për çështjen Epstein janë intensifikuar ndjeshëm, ndërsa Komisioni ka thirrur më herët edhe Ghislaine Maxwell, e dënuar për rekrutimin e vajzave të mitura për abuzime seksuale nga Epstein. Megjithatë, kryetari republikan i komisionit ka deklaruar se është i gatshëm të shtyjë dëshminë e Maxwell derisa Gjykata e Lartë të vendosë për ankesën e saj ndaj vendimit gjyqësor, pasi ajo pretendon se është dënuar padrejtësisht.

Jeffrey Epstein u gjet i varur në qelinë e tij në Nju Jork më 10 gusht 2019, përpara se të përballej me një proces gjyqësor për akuzat e rënda të abuzimit seksual ndaj të miturave. Zyrtarisht, vdekja e tij u shpall vetëvrasje, megjithëse ka pasur spekulime të shumta për rrethana të dyshimta.