Zjarret e përmasave të mëdha kanë përfshirë Kaliforninë Qendrore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërcënuar qindra banesa.
Për pasojë mijëra banorët janë detyruar që të “braktisin” banesat e tyre, për të qenë më të sigurt.
Mbi 1 mijë zjarrfikës po luftojnë me flakët, të cilat kanë shkrumbuar mbi 29 mijë hektarë pyje dhe zona të banuara. Sipas Agjencisë Shtetërore të Zjarrfikësve “Cal Fire” vetëm 3% e zjarreve janë vënë nën kontroll.
Mediat e huaja raportojnë se tre persona kanë mbetur të plagosur nga zjarret, mes tyre një shofer i cili u dogj nga flakët e automjetit të tij, si dhe dy punonjës të forcave zjarrfikëse.
Flakët kanë nisur të premten, 1 gusht, por ndihma nga ajri ka qenë e kufizuar për shkak të tymit të dendur. Autoritetet kanë përdorur teknologji me rreze infra të kuqe për të monitoruar përhapjen e zjarrit.
Erërat e forta, me shpejtësi deri në 40 kilometra në orë, kanë përkeqësuar përhapjen e flakëve. Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet pasi dyshohet se mund të jetë zjarrvënie e qëllimshme. Kalifornia pritet të goditet të mërkurën, më 6 gusht, nga një valë tjetër e të nxehtit, me temperatura mbi 40 gradë Celsius, e cila do të shtojë rrezikun për zjarre.