Ballina Aktualitet Konsumatorët: Big Market i Vullnet Sinajt abuzon me çmimet, sidomos në sezonin...

Konsumatorët: Big Market i Vullnet Sinajt abuzon me çmimet, sidomos në sezonin turistik

28
0

Pas denoncimit të publikuar nga JOQ të një qytetareje në Bulqizë, kanë vijuar ankesat nga konsumatorë të tjerë në qytete të ndryshme të vendit lidhur me mospërputhjen e çmimeve në rrjetin e supermarketeve Big Market. Dy qytetarë nga Shëngjini dhe Lezha kanë raportuar raste të ngjashme ku çmimet në rafte nuk përputhen me ato në arkë, dhe reagimi i stafit është shpesh arrogant dhe mohues i përgjegjësisë.

Një qytetar nga Shëngjini denoncon se kjo situatë është e përsëritur dhe e vazhdueshme prej vitesh, sidomos në sezonin turistik. Ai përmend raste konkrete si mungesa e çmimeve në rafte, diferenca të mëdha çmimesh në produktet bazë, dhe mungesë transparence nga punonjësit dhe menaxheria e marketit.

Prsh, JOQ. Jetoj në Shëngjin. Edhe një abuzim total i çmimeve nuk ka çmime në raft dhe ato që i kanë nuk përkojnë me ato të kasës. Kur një herë i thashë vajzës tek kasa, më tha që “kështu është, nuk kam çfarë të bëj”. I thashë menaxheres dhe më tha “kemi probleme me peshoren atje tek pjesa e sallameve”. Mirëpo kjo nuk është hera e parë ka që vjet që e kam kap si situatë. Rrinë veç duke vjedh. Një rast tjetër mora një Lays të madhe, që në vende të tjera ka çmim 150 lekë – aty 230 lekë! E njëjta. Bëra fjalë me vajzën dhe tha “nuk e kthej dot se e kam prerë faturën”. Janë duke na vjedhur hapur dhe s’kemi ku të ankohemi. Kjo situatë është gjithë vitin në Shëngjin, jo vetëm sezonin veror. Nëse e publikon, faleminderit. Kalofshi një ditë të qetë!

Ndërkohë një tjetër qytetare nga Lezha rrëfen se është ofenduar dhe etiketuar si “problem” vetëm sepse kërkoi sqarime për një faturë me 5 mijë lekë të vjetra më tepër nga ç’duhej. Të dyja denoncimet përforcojnë shqetësimin se praktikat mashtruese në Big Market nuk janë raste të izoluara, por një problem sistematik që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për mbrojtjen e konsumatorit.

Më ka ndodhur mua disa herë dhe kur i thua pse ky çmim, të përgjigjen me arrogancë: “E di më mirë, mos hajde të blesh më, sepse je problematike”. Haha, problematike se i verifikova dhe më dolën 5 mijë lekë të vjetra më shumë. Kjo ndodhi tek Big Market-i në Lezhë dhe kam neveri të hyj të blej, pasi ty si klient të ngarkojnë me faj.