Në tetor 1964, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), vetëm tre vjet para ndarjes nga jeta, i dërgon një letër Mehmet Shehut, Kryeministrit të regjimit komunist, në të cilën një ndër prozatorët dhe kritikët letrar nga më të shquar të Shqipërisë, kërkon keje për t’u përqëndruar tek shkrimi letrar. Kjo letër u shkrua më 1964, kur Kuteli, pas burgosjes në Vloçisht dhe “rehabilitimit” nga regjimi komunist, ndihej i mbingarkuar nga puna e përditshme si përkthyes. Kuteli, 58 vjeç dhe me shëndet të dobët, kërkon një leje krijimtarie prej tre vjetësh për t’iu përkushtuar shkrimeve origjinale, që i konsideronte më të vlefshme se përkthimet. Letra pasqyron dëshirën e tij për të lënë një trashëgimi letrare, por edhe frustrimin nga kufizimet e regjimit, një shenjë e përpjekjes së tij për të ruajtur identitetin artistik, dinjitetin personal dhe intelektual nën presionin e regjimit komunist.
Teksti:
Letra Mitrush Kutelit për Mehmet Shehun
Shokut, Mehmet Shehut
Kryetarit të Këshillit të Ministrave të R.P. të Shqipërisë
Tiranë
Shoku Mehmet,
Kam pothuaj dy muaj që kam pregatitur një kujtesë mbi punën time letrare dhe publicistike gjatë 40 vjetëve, mbi gjëndjen time familjare, ekonomike dhe shëndetësore, mbi përpjekjet dhe projektet e mija të sotme në letërsi. Në këtë kohë e kam hedhur e pritur me mendje kujt t’ja dërgoj, në dorë, këtë kujtesë dhe kam ngurruar. Sot po dal nga ky ngurrim dhe po ua dërgoj Juve. Mendimi që më shtyri të ndalem tek Ju është ky: “Shoku Mehmet, thashë, është i mbytur në punë të mëdha dhe të rëndë pa për të drejtuar anijen e shtetit, të popullit tonë, ndër stuhirat e vrazhda ndërkombëtare të ditëve tona, por në të njëjtën kohë është edhe shkrimtar. Pra do të më dëgjojë dhe kuptojë”. Kështu thashë, kështu po bëj: po ua dërgoj Juve “Kujtesën”.
Këtë shkresë u mundova ta përmbledh në faqe sa më të ngushta, po praseprara u zgjat, u derdh në njëzet faqe. S’kam ç’bëj: janë 40 vjet pune e luftë në fusha të ndryshme: letrare, publicistike, ekonomike. Është dhe aspirata që të mos mbetem një shkrimtar i një epoke të kaluar, po edhe i së sotmes. Në mendjen time gurgullojnë kaq dëshira dhe projekte, të cilat dua t’i hedh në letrë dhe s’mund. S’mund sepse shëndeti im është i keq dhe ato pak çaste më të kthjellta që më mbeten duhet t’ja kushtoj punës së ditës, përkthimit. Mirëpo ndjej që kjo punë, përkthimi, është shumë më pak e vlefshme dhe e dobishme se sa ajo që mund të bëja po t’ja kushtoja çasteve të mija të mira shkrimeve origjinale. Pra arrita shpejt atje ku më dhëmb dhëmbi: dua të kem nja 3 vjetë të lirë, të mijat, që të përfundoj atë që kam filluar dhe mbase disa nga ato që kam mbrujtur në mendje. Këtë 3 vjet i kërkoj në trajtën e një leje krijimtarie. Shumë? Nuk janë shumë, shoku Mehmet. Kam bërë dyzet vjet punë të çaprashitur në fusha të ndryshme, dua 3 vjetë vetëm për letërsi. Po të bëj diçka të mirë? Po. Them kështu, ndon se jam i shkuar nga mosha (58 vjeç) dhe me një shëndet që nuk shkon mbroth. Shumë kolegë të tjerë të më rinj, me një veprimtari më të pakët e në caqe më të ngushta, kanë fituar prej kohe mundësinë t’i kushtohen vetëm shkrimit, si profesionistë. Unë nuk kërkoj një gjë të tillë. Ata vjetët e paktë që më kanë mbetur – them kështu se me bluajnë sëmundjet – kërkoj 3 vjet lirim nga puna e rëndomtë që të bëj diçka të parëndomtë.
Cila është garancia se do të bëj një punë të tillë? Ata 40 vjet punë të së kaluarës që, në s’thonë gjë tjetër shumë-shumë pozitive për vëndin tim, thonë të paktën se nuk e kam harxhuar kohën as me dëfrime, as me aspirata karjerizmi, por gjithnjë në punë. Po te lexoni me kujdes do të shihni se kështu është.
A do të bëhet Partia dhe Ju mecena im? Nuk di, por unë shpresoj dhe pres. Dhe duke shpresuar dhe pritur, vazhdoj të punoj – domosdo të punoj i çaprashitur në dy fusha: përkthim dhe krijim. Dhe shumë i lodhur.
Ju dërgoj të fala,
Dhimitër Pasko
(M. Kuteli)
Tiranë, 20 tetor 1964.