Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 21-vjeçar të dyshuar për një sërë mashtrimesh ndaj qytetarëve, duke përdorur identitet të rremë. Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Strategjia”, i zhvilluar nga Komisariati Nr. 2.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu, me inicialet E.H., banues në Paskuqan, u kap në flagrancë në momentin kur po i merrte një shumë parash një 26-vjeçareje, të cilën e kishte mashtruar më parë në disa raste të tjera.
Pas kallëzimit të bërë nga viktima, Policia nisi hetimet dhe identifikoi autorin, i cili, duke u paraqitur me emër dhe profil të rremë, kishte arritur të fitonte besimin e saj dhe t’i përfitonte disa shuma parash.
Gjatë ndjekjes së rastit, uniformat blu organizuan operacionin “Strategjia” dhe finalizuan kapjen e të dyshuarit, i cili u ndalua në momentin që po përpiqej të përfitonte një shumë tjetër nga e njëjta shtetase. Hetimet po vijojnë për të identifikuar raste të tjera të ngjashme ku 21-vjeçari mund të ketë përdorur të njëjtën metodë mashtrimi për të përfituar para nga qytetarët.