Ballina Sport Ngriti 144 kilogramë me një gisht të vetëm

Ngriti 144 kilogramë me një gisht të vetëm

0
37

Liu Weiqiang theu një rekord botëror vetëm me… një gisht. Eksperti i fitnesit nga Kina arriti të ngrejë plot 144 kilogramë me vetëm gishtin e mesit, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur nga Egmond Molina, i cili në mars të vitit 2024 kishte ngritur 138.5 kilogramë me një gisht të vetëm.

Për të pasur një ide më të qartë se sa peshojnë 144 kg, mjafton të mendoni për peshën e një lavatriçeje dhe tharëseje së bashku, një vaske të mbushur me ujë, një motoçikletë të vogël, ose edhe dy fuçi të mbushura me birrë. Padyshim mbresëlënëse.

Si ia doli? Në thelb, ai lidhi një karabinë me një shufër të ngarkuar me gjashtë disqe, katër nga 25 kg dhe dy nga 20 kg, më pas rrotulloi vetëm gishtin e mesit të dorës së majtë rreth karabinës.

Pasi mori pozicionin sikur do të bënte një ngritje klasike nga toka, ai tërhoqi peshën nga dyshemeja, duke luftuar me mosbalancimin e ngarkesës, deri sa arriti në një qëndrim të drejtë dhe më pas e uli me kontroll.

Sipas “Guinness World Records”, ngritja zgjati pothuajse 10 sekonda.

Kjo nuk është hera e parë që Liu Weiqiang thyen rekorde ekstreme. Dy vite më parë, ai kishte koleksionuar tetë tituj “Guinness”, përfshirë ngritjen më të rëndë me tërheqje (109.2 kg), dips më të rëndë (154.2 kg), dhe “muscle-up” në unaza me ngarkesë shtesë prej 44.2 kg.

Liu Weiqiang është 29 vjeç dhe vjen nga Zhangjiakou, në provincën Hebei. Ai e nisi rrugëtimin në fitnes që në shkollën e mesme për të përmirësuar formën e tij fizike. Prej disa kohësh ndan video nga stërvitjet e tij në rrjetet sociale, duke dhënë edhe këshilla për të gjithë ata që duan të transformojnë trupin e tyre me djersë dhe këmbëngulje.