Nëntë persona, përfshirë një misionare irlandeze dhe një fëmijë tre vjeç, janë rrëmbyer nga një jetimore pranë kryeqytetit të Haitit, Port-au-Prince, të dielën, sipas një zyrtari lokal. Gena Heraty, drejtoresha e institucionit, është mes të rrëmbyerve nga jetimorja private Sainte-Helene në Kenscoff gjatë orëve të hershme të mëngjesit, sipas kryetarit të bashkisë, Massillon Jean.
Shtatë punonjës të jetimores dhe një fëmijë gjithashtu janë rrëmbyer. Jetimorja kujdeset për më shumë se 240 fëmijë, disa prej tyre me aftësi të kufizuara. Sipas Jean, agresorët hynë në jetimore rreth orës 15:30 me orën lokale (07:30 GMT) “pa hapur zjarr”, duke e përshkruar si një “akt të planifikuar”. Ata çanë një mur për të hyrë në pronë dhe më pas shkuan në ndërtesën ku po qëndronte zonja Heraty.
Gazeta haitiane Le Nouvelliste raportoi se mendohet që pas sulmit qëndrojnë anëtarë të bandave. Ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Harris, publikoi një deklaratë ku tha se po bëhen “përpjekje intensive dhe të vazhdueshme” për lirimin e zonjës Heraty.
“Në mbrëmje, dua të ritheksoj angazhimin tonë për të siguruar që të bëhet gjithçka e mundur për lirimin e Gena-s, bashkëpunëtorëve të saj dhe të fëmijës trevjeçar që ndodhet në qendër të këtij rasti”, tha ai. Harris shtoi se ekipet irlandeze janë në “kontakt të ngushtë” me familjen e Heraty, autoritetet lokale dhe organizatën për të cilën ajo punon.
Zonja Heraty, e lindur në Liscarney, County Mayo, jeton në Haiti që nga viti 1993. Ajo telefonoi organizatën që drejton jetimoren – Our Little Brothers and Sisters – të dielën në mëngjes për të konfirmuar se ishte rrëmbyer, sipas një burimi të cituar nga agjencia AFP. Deri më tani nuk janë bërë kërkesa për shpërblim apo kushte për lirimin e tyre, sipas të njëjtit burim.
Departamenti i Punëve të Jashtme i Irlandës ka konfirmuar se është në dijeni të rastit dhe po ofron ndihmë konsullore. Gena Heraty ka fituar disa çmime për punën e saj humanitare, përfshirë Çmimin për Dinjitetin Njerëzor nga parlamenti irlandez (Oireachtas Human Dignity Auard).
Në një intervistë për The Irish Times në vitin 2022, ajo kishte deklaruar se nuk kishte ndërmend të largohej nga Haiti, pavarësisht dhunës së bandave dhe kërcënimeve ndaj jetës së saj. “Fëmijët janë arsyeja pse jam ende këtu. Jemi në këtë bashkë,” kishte thënë ajo. Që nga fillimi i vitit 2025, komuna Kenscoff, në periferi jugore të Port-au-Prince, është një nga zonat që po përballet me sulme dhe inkursione të vazhdueshme nga bandat kriminale haitiane, të cilat tashmë kontrollojnë shumicën e kryeqytetit dhe pjesë të mëdha të brendësisë së vendit.
Policia haitiane, së bashku me aleatët nga policia keniane dhe kontraktorë të huaj që përdorin dronë të armatosur, kanë tentuar disa herë të largojnë bandat nga pozicionet dhe bazat e tyre, por nuk kanë pasur sukses në zmbrapsjen e tyre.
Dhuna e bandave dhe rrëmbimet janë të zakonshme edhe në zona të tjera përreth Port-au-Prince, ku OKB thotë se rreth 85% e qytetit është nën kontrollin e grupeve të armatosura.
Më 7 korrik, gjashtë punonjës të UNICEF-it u rrëmbyen gjatë një misioni të autorizuar në një zonë të kontrolluar nga grupet e armatosura në Port-au-Prince. Njëri prej tyre u lirua të nesërmen, ndërsa pesë të tjerët qëndruan të rrëmbyer për tre javë të tjera.