Ish-presidenti i Rumanisë, Ion Iliescu, një nga figurat më me ndikim, por gjithashtu më kontroverse të periudhës postkomuniste të Rumanisë, ka vdekur në Bukuresht më 5 gusht, në moshën 95-vjeçare.
Ish-presidenti ishte shtruar në spital që nga 9 qershori, dhe mjekët e kishin diagnostikuar me kancer në mushkëri.
Në një komunikatë zyrtare, Qeveria njoftoi me ‘keqardhje të thellë’ vdekjen e Iliescut dhe u shprehu ngushëllime familjes dhe miqve të tij.
Iliescu kishte qenë ministër në qeveri para se të anashkalohej nga Ceaușescu në fillim të viteve ‘70. Në dhjetor të vitit 1989, ai u paraqit si kundërshtar i regjimit të Ceaușescut dhe doli në krye të Frontit të Shpëtimit Kombëtar, një grup që mori kontrollin e vendit pasi Ceaușescu dhe bashkëshortja e tij u rrëzuan dhe u ekzekutuan.
Në maj të vitit 1990, ai u bë presidenti i parë i zgjedhur lirshëm i Rumanisë, duke shërbyer deri në vitin 1996.
Mandati i tij, megjithatë, u njollos nga transferimi i përgjakshëm i pushtetit, ku u vranë 862 njerëz, dhe nga vendimi i tij për t’i mobilizuar minatorët grevistë për t’i shtypur me dhunë protestat kundër Qeverisë në qershor të vitit 1990, çka u konsiderua nga shumëkush si përpjekje për të qëndruar në pushtet.
Në vitin 2018, ai u akuzua për krime kundër njerëzimit për rolin e tij në ato ngjarje të dhunshme. Çështja u shty disa herë, por në vitin 2023, Gjykata e Apelit vendosi që gjyqi të vazhdojë.
Në mandatin e tij të dytë, nga viti 2000 deri në vitin 2004, Iliescu luajti rol të rëndësishëm në avancimin e anëtarësimit të Rumanisë në Bashkimin Evropian. Gjatë presidencës së tij, Rumania gjithashtu nënshkroi traktatin e anëtarësimit në NATO në vitin 2004, dhe vendi iu bashkua aleancës ushtarake pak para se ai të largohej nga posti.
Në njoftimin për vdekjen e Iliescut, Qeveria bëri të ditur se hollësitë për varrimin shtetëror të ish-presidentit do të bëhen publike në ditët në vijim. Data 7 gusht është shpallur ditë zie kombëtare në Rumani.