Autoritetet në shtetin qendror meksikan Guanajuato kanë njoftuar se 32 trupa janë zbuluar në një pronë në komunën e Irapuato, nga të cilat pothuajse gjysma janë identifikuar deri më tani.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Shtetit, trupat u gjetën në varre të fshehta në zonën e La Calera, në pjesën veriore të Irapuatos, rreth 320 kilometra larg nga kryeqyteti i Meksikës. Sipas mediave ndërkombëtare, që nga data 30 korrik, ekipet mjeko-ligjore kanë qenë në terren për të kryer ekzaminimet përkatëse dhe për të identifikuar trupat e mbetur.
Ky zbulim ndodhi më pak se dy muaj pas një sulmi të përgjakshëm me armë në një festë rruge në Irapuato, ku mbetën të vrarë 12 persona.
Guanajuato ka qenë një nga shtetet më të goditura nga dhuna në vitet e fundit, si rezultat i përplasjes mes Kartelit të Gjeneratës së Re Jalisco dhe grupit rival lokal Santa Rosa de Lima. Nga janari deri në korrik të këtij viti, në këtë shtet janë regjistruar mbi 1,500 vrasje.
Grupet kriminale shpesh përdorin varre të fshehta për të zhdukur viktimat e tyre, dhe numri total i personave të zhdukur në Meksikë ka arritur afro 132,000.