Nga Fitim Zekthi
Një nga gjërat më të rënda sot, që shfaqet me gjithë fuqinë e vet në Shqipëri dhe sidomos në opozitë, është fakti që njerëzit nuk janë të trajnuar ose të përgatitur që të mendojnë për të mirën e përbashkët, për të mirën e vendit dhe shoqërisë, por janë të aftë të mendojnë vetëm për mënyrën se si preket apo fiton grupi tyre.
Mark Lilla, një mendimtar amerikan shkruan gjerësisht se kjo është një formë pushteti e injorancës, e padijes dhe madje e dëshirës për të mos ditur dhe mos mësuar.
Njerëzit, edhe qëllimisht, për shkak të interesit të tyre dhe interesit te grupit të tyre humbin aftësinë të njohin dhe kuptojnë të vërtetën. Kjo sigurisht që shkatërron jo vetëm interesin e vendit dhe të mirën e shoqërisë, por edhe interesin e tyre dhe të grupit të tyre.
Forcat e djathta apo konservatore gjatë gjithë historisë i janë trembur kësaj rruge, i janë friguar kësaj sjelljeje dhe kanë folur për maturi, për kujdes, për vetëkufizim, për largim dhe tërheqje nga emocioni dhe epshi.
Bash këtu tek këto koordinata është themeluar e djathta. Në Shqipëri, PD-ja, e cila ka pretenduar për vite me radhë se përfaqëson të djathtën, nuk ka qenë kurrë një forcë që u udhëhoq nga kujdesi, maturia, vetëpërmbajtja, vetëkufizimi, largimi nga epshi dhe emocionet e inatit apo zemërimit dhe për pasojë nuk arriti të mendojë dot përtej mënyrës se si pushteti apo realiteti politik prek atë dhe njerëzit e saj në një kohë kur duhet të mendonte (si forcë e djathtë për mënyrën se si preket shoqëria dhe vendi).
Tani gjendja është shumë e vështirë. Duke lejuar që vit pas viti, madje dekadë pas dekade, të thellohet kjo mënyrë të ekzistuari dhe kjo mënyrë të kuptuari e politikës gjërat kanë shkuar në një pikë shumë të largët, aq sa PD-ja përkufizohet plotësisht, i merr vendimet dhe sillet pikërisht duke bërë vetëm të kundërtën e asaj që do të duhet të bënte një forcë e djathtë.
Edhe i gjithë debati, ose gjithë diskutimet brenda saj sot bëhen për gjëra të kota, bëhen nëse duhet të ikin disa drejtues apo të ikë kryetari, nëse duhet të bëhen analiza degë pas dege apo të bëhen seksion pas seksioni, nëse duhet hyrë në parlament apo duhet bojkotuar, nëse fajin e kanë disa deputetë, disa drejtues apo kryetari, nëse kanë infiltruar sorosianë, nëse kishte tradhti nga brenda etj.
Sado e vështirë, sa do tmerrësisht e vështirë, është e mundur që opozita të transformohet në një forcë të djathtë dhe konservatore që i brendëson realisht parimet e maturisë, vetëfkufizmit, kritikës ndaj vetes, mosfajësimin e armikut apo kundërshtarit për gjithçka, decensës, respektit për dinjitetin e kujtdo qenieje njerëzore, besimin tek liria politike, liria ekonomike, liria fetare.
Është e mundur që të kuptohet që nuk ka asgjë të mirë për opozitën si diçka e tillë në vetvete. E mirë për opozitën është gjthçka që është e mirë për vendin dhe për shoqërinë. Këtu nis dhe në fakt këtu edhe mbaron roli dhe detyra e të djathtës. Nuk ka zgjidhje tjetër. Është e kotë po e kotë fare fare.