Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar një vendim, i cili ka hyrë të mërkurën në fuqi, që sjell disa ndryshime në rregulloren për vlerësimin etik dhe profesional të prokurorëve. Vendimi, i cili është firmosur nga kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, ndryshon mënyrën e pikëzimit për pjesëmarrjen në trajnime dhe aktivitetet publike, duke ndikuar në vlerësimin e punës së prokurorëve.
Ndryshimi kryesor lidhet me aneksin nr. 7, i cili përcakton metodologjinë e pikëzimit për prokurorët e Prokurorisë së Apelit, shkruan rtsh.al. Sipas ndryshimeve, sistemi i pikëzimit për pjesëmarrjen në programet e formimit vazhdues të Shkollës së Magjistraturës dhe trajnime të tjera do të ndryshojë si më poshtë:
Për një periudhë 3-vjeçare
Prokurorët që marrin pjesë deri në 5 ditë trajnimi do të marrin 5 pikë. Për pjesëmarrje nga 6 deri në 15 ditë, do të jepen 1.5 pikë për çdo ditë, por jo më shumë se 20 pikë. Për pjesëmarrje mbi 120 ditë, do të zbriten 1.5 pikë për çdo ditë.
Për një periudhë 5-vjeçare
Për pjesëmarrje deri në 5 ditë trajnimi do të merren 5 pikë. Për pjesëmarrje nga 6 deri në 30 ditë, do të jepen 0.66 pikë për çdo ditë. Pjesëmarrja mbi 200 ditë do të rezultojë me zbritjen e 0.66 pikë për çdo ditë.
Ndryshime ka edhe në pikëzimin për pjesëmarrjen në veprimtari ndërinstitucionale dhe marrëdhënie me publikun. Të gjithë prokurorët për këtë tregues do të vlerësohen me 5 pikë, pasi pjesëmarrja në këto aktivitete nuk varet gjithmonë nga vullneti i tyre. Megjithatë, ata që caktohen të marrin pjesë dhe nuk e bëjnë këtë pa shkaqe objektive, do të vlerësohen me 0 pikë.
Si bonus, prokurorët që marrin pjesë në këto veprimtari njëkohësisht me punën e tyre gjyqësore, do të përfitojnë 2 ditë shtesë në llogaritjen e pikëve për trajnime.