Ballina Kosovë Kosova proteston nesër për Çlirimtarët/ Mustafa: Është detyra jonë të jemi në...

Kosova proteston nesër për Çlirimtarët/ Mustafa: Është detyra jonë të jemi në shesh për të mbrojtur vlerat e luftës

51
0

Ish-kryeministri Isa Mustafa bën thirrje publike për pjesëmarrje masive në protestën paqësore që veteranët e luftës kanë thirrur nesër, më 7 Gusht në Prishtinë. Ai thotë se populli i Kosovës duhet të jetë atje, për të mbrojtur vlerat e luftës për liri.

“Është detyrë e gjithë neve të mbrojmë vlerat e luftës, dhe të mos lejojmë të rishkruhet historia me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë. Shteti i Kosovës është rezultat i rezistencës politike të drejtuar nga Presidenti Rugova dhe i luftës së UÇK-së.  Është vlerë e përbashkët.

Ne kemi pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare kur Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë me ligje të Kosovës. Jam dëshmitar se këtë besim të plotë e kanë pasur edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar asokohe. Gjykata u themelua me bindje se do të marrin dënimet e merituara njerëzit për të cilët faktohet se kanë kryer krime”, shkruan Isa Mustafa.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka paralajmëruar se do të organizojë një protestë në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej disa vitesh.

Isa Mustafa thekson se nuk ishte menduar kurrë se ata që luftuan për të mbrojtur pragun e shtëpisë së vetë do të cilësoheshin nga Gjykata Speciale si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Askujt s’do ti shkonte mendja se në vend të kësaj, bartësit kryesor të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, me rol kyç në Rambuje, në bisedat e Vjenës, në shpalljen e pavarësisë; në kundërvënien ndaj depërtimit me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova, do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, shkruan ai.

Ish-kryeministri i Kosovës thotë se i ka pasur kundërshtarë politikë Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, ama me ta ka garuar se kush e bënë Kosovën më mirë. Ai bën thirrje për pjesëmarrje masive nesër në Prishtinë, ama tregon se sikur të kishte shëndet të mirë, do të ishte dhe vetë atje.

“Prandaj veteranët e luftës meritojnë solidarizim dhe përkrahje nga të gjithë për një kauzë të drejtë! Një kërkesë paqësore për drejtësi të mirëfilltë! Me Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin, kemi qenë kundërshtarë politik. Kemi garuar se kush e bënë Kosovën më mirë. Por, në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në Shesh”, përmbyll Isa Mustafa.