Një valë intensive reshjesh ka shkaktuar përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu në shtetit verior indian Uttarakhand, ku më shumë se 100 persona rezultojnë të zhdukur.
Përmbytja ndodhi të martën rreth orës 13:30 sipas orës lokale, në zonën malore të Uttarkashi, ku një sasi e madhe me ujë, përfshiu fshatin turistik Dharali, duke përmbytur rrugë, ndërtesa dhe duke lënë pas rrënoja të shumta.
Sipas raportimeve nga grupet e emergjencës operacionet e kërkimit vazhdojnë ku janë shpëtuar rreth 130 persona ndërsa është gjetur dhe një trup i pajetë. Sipas autoriteteve lokale, rrugët kryesore janë dëmtuar rëndë, me çarje dhe rrëshqitje dheu që pengojnë qasjen në zona të shumta.
Kryeministri i Uttarakhand, Pushkar Singh Dhami, deklaroi se operacionet e shpëtimit po vazhdojnë me intensitet të ulët për shkak të motit të keq dhe sasisë së madhe të baltës dhe mbeturinave që kanë mbuluar terrenin.
Situata rëndohet më tej nga moti i keq, me reshje që vijojnë edhe sot ndërsa komunikimi me ekipet e emergjencës në terren është i pamundur për shkak të ndërprerjeve të energjisë dhe mungesës së sinjalit.
Meterologët kanë raportuar për reshje të dendura edhe në ditët në vijim ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet drejt zonave të rrezikuara nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet.
Uttarakhand është një prej rajoneve më të rrezikuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Himalaje.
Kujtojmë se në vitin 2013, përmbytje të ngjashme morën jetën e mijëra personave, shumë prej të cilëve nuk u gjetën kurrë.