Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Drejtoresha e Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”, Njësia Kavajë, Silvana Bala inspektoi nga afër detajet e fundit të punimeve për rikonstruksionin e spitalit në Kavajë, një investim që ka mundësuar rehabilitimin tërësor të ambienteve duke sjell standarde të reja shërbimi për mbi 100 mijë banorë të Kavajës, Rrogozhinës dhe zonave përreth.
Gjatë vizitës në ambientet e rinovuara, ministrja Koçiu theksoi që punimet në ambientet e brendshme dhe të jashtme të spitalit janë drejt përfundimit ku qytetarët do marrin shërbime shëndetësore në kushte dhe ambiente modern.
“Jemi në përfundim të punimeve të spitalit të Kavajës, që ka për afro një vit që është binjakëzuar me spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe shërben jo vetëm për banorët e Bashkisë së Kavajës dhe Bashkisë së Rrogozhinës, Ndërkohë është edhe një strukturë shumë e rëndësishme shëndetësore për të gjithë pushuesit që vijnë e pushojnë në vijën bregdetare nga Golemi në Spille”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja Koçiu u ndal tek përmirësimi i hapësirave që ka përfshirë ky investim ku është bërë i mundur edhe rinovimi tërësor i dy pavioneve, të Maternitetit dhe Pediatrisë.
Gjithashtu, Koçiu vuri theksin te Urgjenca, një ndër shërbimet e rëndësishme në Spitalin e Kavajës, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Ministrja Koçiu tha se një ndër shërbimet e rëndësishme në spitalin e Kavajës është edhe Kabineti i Fizioterapisë, një shërbim për të cilin po punohet për ta shtrirë edhe në të gjitha spitalet rajonale dhe forcuar si shërbim edhe në qendrat shëndetësore.