Ballina Aktualitet Shqipëria, nga bunkerët te bregdeti: Eldorado-ja e re e turizmit në Europë

Shqipëria, nga bunkerët te bregdeti: Eldorado-ja e re e turizmit në Europë

15
0

Në 5 gusht, një reportazh i programit francez “Nous, les Européens” e cilëson Shqipërinë si “Eldorado-n e re të turizmit në Europë”. Nga një vend i izoluar për dekada, Shqipëria ka njohur një bum vizitorësh që kanë mbërritur për të zbuluar plazhet, historinë dhe çmimet e lira.

Ja kronika e plotë:

Shqipëria, Eldorado-ja e re e turizmit në Europë

Reportazhi “Ne, Evropianët”, i transmetuar më 5 gusht nga televizioni francez, udhëton drejt Shqipërisë, e cila po cilësohet si destinacioni i ri i preferuar i pushuesve. Dikur një vend i izoluar i bllokut lindor, Shqipëria sot po përjeton një transformim të jashtëzakonshëm në sektorin e turizmit, me një rritje prej 80% të vizitorëve në vetëm pesë vjet.

Ujëra të kristalta, ishuj të pabanuar, pamje që të kujtojnë Karaibet apo Maldivet – por janë pamje shqiptare, të vendosura mes Greqisë dhe Italisë. Shqipëria është shndërruar në një perlë mesdhetare që tërheq turistë nga e gjithë bota. Kjo tokë ku ndër shekuj janë ndërruar civilizimet greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane, ofron sot një mozaik unik të trashëgimisë kulturore.

Por historia më e afërt është gjithashtu e pranishme: bunkerët e shëmtuar të regjimit komunist të Enver Hoxhës ende mbulojnë bregdetin dhe qytetet. Në Tiranë, një prej tyre është kthyer në muze, Bunk’Art, ku vizitorët mësojnë për paranojën dhe izolimin e dikurshëm.
“Ky bunker nuk është përdorur kurrë për luftë, sepse nuk kemi pasur luftë. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai u përdor shumë për të marrë në pyetje njerëzit”, shpjegon Sokol Selami, guidë në muze.

Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara të botës deri në vitin 1991, kur regjimi ra dhe vendi nisi rrugën drejt demokracisë. Sot, në zemër të Tiranës ngrihen ndërtesa moderne dhe jeta urbane po lulëzon. Në vitin 2024, Shqipëria numëroi 12 milionë turistë, një shifër rekord për vendin, e nxitur nga marketingu, efektet pas-Covid, por veçanërisht nga rrjetet sociale.

Influencues nga vende si Polonia janë ftuar nga agjencitë turistike për të promovuar Shqipërinë si destinacion të ri.
“Erdhëm për të xhiruar në Shqipëri që të inkurajojmë polakët të vijnë, sepse ende nuk është destinacion shumë popullor”, tregon Adrianna Skon, një influencuese polake.
“Që në ditën e parë e kuptuam që është një vend fantastik për ta rekomanduar”, shton ajo në videon e saj.

Turistët tregojnë se janë frymëzuar nga videot në TikTok dhe YouTube. Ata thonë se kanë bërë kërkime të vogla dhe më pas kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet e tyre. Një tjetër avantazh i madh? Çmimet e ulëta, veçanërisht për publikun e ri që udhëton me buxhet.

Në rrjetet sociale, Shqipëria po kthehet në një fenomen. Nga një vend i mbyllur për botën, në një destinacion global të preferuar. Historia e saj është dëshmi se edhe vendet më të harruara mund të rilindin, kur hapen ndaj botës.