Ballina Bota Donin dhe ta ngrinin në detyrë, infermierja pa licencë arrestohet pasi vizitoi...

Donin dhe ta ngrinin në detyrë, infermierja pa licencë arrestohet pasi vizitoi mbi 4 mijë pacientë

84
0

Një grua është arrestuar në SHBA nën dyshimin se është paraqitur si infermiere e regjistruar pa pasur licencë. BBC shkruan se hetimi policor filloi pasi drejtuesit e spitalit AdventHealth Palm Coast Parkëay, në qytetin Palm Coast, i ndërprenë kontratën infermieres me emrin Autumn Bardisa, për shkak të dyshimeve mbi kualifikimet e saj.

Sipas hetuesve, 29-vjeçarja ka ofruar shërbime mjekësore për 4 mijë e 486 pacientë nga qershori i vitit 2024 dhe janarit 2025. “Ky është një nga rastet më shqetësuese të mashtrimit mjekësor që kemi hetuar ndonjëherë”, deklaroi Sherifi i Qarkut, Rick Staly.

Bardisa akuzohet se ka dorëzuar dokumente të falsifikuara dhe ka përdorur një numër licence që i përkiste një infermiereje tjetër me të njëjtin emër, e punësuar në një spital tjetër të së njëjtës rrjetë spitalore. Ajo e justifikoi mospërputhjen duke pretenduar se ishte martuar së fundmi dhe kishte ndryshuar mbiemrin, por nuk e paraqiti kurrë certifikatën e martesës.

Në janar, ajo ishte propozuar për një promovim, por një kolege që zbuloi se licenca e saj si asistente infermierie kishte skaduar e raportoi në autoritete. Pas kësaj, kontrata iu ndërpre dhe u nis një hetim penal shtatëmujor.

Policia ekzekutoi një urdhër-arresti ndaj saj me 7 akuza për ushtrim të paligjshëm të profesionit në kujdesin shëndetësor dhe 7 akuza për përdorim të rremë të informacionit personal. Bardisa u arrestua më 5 gusht, në banesën e saj, ndërsa ishte e veshur me uniformë mjekësore.

Kjo grua mund të ketë rrezikuar mijëra jetë duke u shtirur si dikush që nuk ishte, duke shkelur besimin e pacientëve, familjeve të tyre, spitalit dhe të gjithë komunitetit mjekësor,” tha Sherifi Staly.

Zyra e Sherifit ka hapur një adresë të posaçme emaili: fakenursecase@flaglersheriff.com, për këdo që mendon se mund të jetë trajtuar nga Bardisa. Ajo ndodhet aktualisht në paraburgim në me një garanci të vendosur prej 70 mijë dollarësh.