Gianni Berengo Gardin, një nga fotografët më të mëdhenj italianë të shekullit XX, ka vdekur sot në moshën 94-vjeçare në Gjenova, sipas “Adnkronos”.
Vështrimi i tij përshkoi shtatë dekada të historisë, duke fotografuar bardh e zi kujtime vizuale të vendit.
I lindur në Santa Margherita Ligure më 10 tetor 1930, ai e konsideronte Venedikun – qytetin e tij të vërtetë të lindjes – ku studioi dhe ndërmori hapat e tij të parë me një aparat fotografik – që nuk do ta lëshonte më kurrë.
Me mbi dy milionë filma negativë, më shumë se 260 libra të botuar, mbi 360 ekspozita personale në të gjithë botën dhe një karrierë të njohur me çmime ndërkombëtare, Berengo Gardin ishte më tepër sesa thjesht një fotograf.
Ai ishte një dëshmitar etik, një poet i realitetit, një vëzhgues diskret por i palodhur i kohërave në ndryshim të Italisë.
Ai preferonte ta përkufizonte veten si zejtar, jo si artist. “Puna ime nuk është artistike, por sociale dhe civile. Nuk dua të interpretoj, dua të tregoj”, tha ai më herët.
Berengo Gardin ishte fotografi italian më i njohur dhe më i vlerësuar ndërkombëtarisht, dhe fotografitë e tij mbahen në muzetë dhe institucionet kulturore më prestigjioze në botë: Muzeu i Artit Modern i Nju Jorkut; Qendra për Studime të Komunikimit dhe Arkivat e Universitetit të Parmës; Biblioteka Kombëtare e Francës në Paris; Selia e OKB-së në Nju Jork; “Photokina” Këln; Muzeu Guggenheim në Nju Jork; Galeria Kombëtare e Artit dhe Estetikës në Pekin; Shtëpia Evropiane e Fotografisë në Paris; Reina Sofía në Madrid; MAXXI -Muzeu Kombëtar i Arteve të Shekullit XXI, në Romë; dhe Instituti Qendror për Grafikën në Romë.
Berengo Gardin fotografoi puthje të vjedhura, varreza, trena të mbushur me njerëz, punonjës, gra, arkitekturë, fëmijë dhe të moshuar.
Gjithmonë me një vështrim të qëndrueshëm, empatik dhe ironik, kurrë cinik, shkruan ora.
Shumë kritikë, e kanë krahasuar atë me Henri Cartier-Bresson – një fotograf francez humanist, por ai vetë preferonte një përkufizim tjetër: “Unë jam Willy Ronis italian. Por me krenari ruaj një dedikim nga Cartier-Bresson: “Për Gianni Berengo Gardin me simpati dhe admirim”.
“Të kesh admirimin e tij do të thotë që dikush mund të vdesë në paqe”, tha ai më herët.