Nikoll Lesi shkruan se tashmë që dosjet e Ilir Metës dhe Erion Veliajt kanë shkuar për gjykim, nuk ka arsye që ata të mbahen në burg.
“Ilir Meta dhe Erion Veliaj kanë dështuar në të gjitha tratativat juridike me avokatët e tyre që të dalin nga qelitë ku janë futur me kërkesë të SPAK dhe me vendim të gjykatave të Posaçme.
Deri para pak ditësh ishin akoma nën hetim dhe Prokuroria kishte frikën e prishjes së provave apo intimidimeve të dëshmitarëve.
Por tashmë dosjet e tyre janë dërguar në gjykatë për gjykim.
Nuk ka se çfarë të prishin prova, asnjeri. Çfarë ka mbledhur SPAK-u ndodhet në tavolinën e gjykatës, e cila do të jap verdiktin e drejtësisë; me burg, me dënime të tjera me të lehta apo të pafajshëm.
Ndaj do të ishte gjykim me i drejtë dhe korrekt nëse të dy tashmë lirohen dhe të shkojnë në sallën e gjyqit pa pranga.
Nëse gjykata, pas hetimit gjyqësor, vendos për pranga, atëhere le t’ju kthehen qelive. Por do të ishte normale tani një lirim nga qelitë dhe të përballen me gjykatën dhe publikun.
Nganjëherë gjyqi publik është më i fortë së ai gjyqësorë”, shkruan ai në gazetën e vet.