Nga Hasan Bello
Në shkurt të vitit 1908, në qytetin e Manastirit zyrtarisht u themelua klubi “Bashkimi”, i cili deri në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar do të luaj një rol të rëndësishëm për organizimin e Lëvizjes Kombëtare, arsimin dhe mësimin e gjuhës shqipe . Ai do të jetë inisiatori kryesor i Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908), që hodhi bazat për unifikimin e alfabetit.
Themelimi i këtij klubi u mirëprit jo vetëm nga patriotët shqiptar të të gjitha trevave, por edhe nga klubet e shoqëritë e kombësive të tjera që vepronin në këtë periudhë. Kështu, kryetari i klubit bullgar, i dërgoi një kartolinë.
Nga shënimet duket qartë se ajo është nisur nga posta e një qyteti bullgar dhe ka kushtuar 5 stotinka (monedhë e vogël bullgare), në adresën e klubit shqiptar “Bashkimi” në Manastir.
Kartolina ka tre lloje shkrimesh, bullgarisht, frëngjisht dhe osmanisht.
Në literaturën tonë, me përjashtim të pak librave në fushën e filatelisë, pothuajse mungojnë studimet historike që bazohen mbi kartolinat e huaja dhe ato shqiptare. Në vende të ndryshme ato realizohen kryesisht nga koleksionistët dhe të pasionuarit e mikrohistorisë, duke mbushur një boshllëk të rëndësishëm të jetës së përditshme.