Deputeti i PD, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me akuzat që kryeministri Edi Rama bëri ndaj gjyqtarit Hazbi Balliu, në lidhje me një pallat të konfiskuar.
Bardhi e ka konsideruar këtë si një veprim flagrant që synon shkatërrimin e pavarësisë së drejtësisë.
Sipas Bardhit, “Rama ka miratuar në vitin 2022 një ligj që i legalizonte ndërtime pa leje për oligarkët e tij në Tiranë megjithëse ai tashmë sulmon një magjistrat të ri vetëm për faktin se ky i fundit kishte zbatuar ligjin që vetë Rama miratoi”.
Deputeti i PD kërkoi reagim të menjëhershëm nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të mbrojtur sipas tij integritetin dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Sulmi i Edi Ramës ndaj gjyqtarit Hazbi Balliu është dëshmi flagrante e përpjekjeve të një kryeministrit karagjoz për të shkallmuar tërësisht pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe themelet e shtetit të së drejtës. Megjithëse në vitin 2022, miratoi vetë fillimisht vendimin dhe më pas ligjin që iu mundësonte oligarkëve të tij ndërtues të ligjëronin katet e kullave pa leje në qendër të Tiranës, duke i amnistuar edhe nga ndjekja penale, tashmë i vërsulet një magjistrati të ri me fjalor rruge për të vetmin “mëkat” se ka zbatuar ligjin që vetë Edi Rama e miratoi për të ligjëruar antishtetin për llogari të oligarkëve të tij.
Në shtetin privat të Edi Ramës, ku ai është President, Kryeministër, Ministër, Kryebashkiak, Kryegjyqtar, Kryeprokuror, asnjë gjyqtar nuk duhet kurrësesi të pranojë kërkesat e qytatarëve kundër shtetit, sepse në të kundërt duhet të përballet me lumin e sharjeve personale të gojëprishurit që fatkeqësisht qëllon të jetë kreu i pushtetit ekzekutiv.
Në fakt, sjellje të tilla të Edi Ramës ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë guxuar të manifestojnë sadopak pavarësi në ushtrimin e detyrës nuk kanë munguar gjatë gjithë qeverisjes së tij, me intensitet të shtuar pas arrestimit të benjaminit të tij në krye të Bashkinë së Tiranës Erion Veliaj. Ky pra që i pëlqen ta prezantojë veten si autorin e reformës në drejtësi dhe njeriu që i dha pavarësinë pushtetit gjyqësor, nuk lë rast pa i bërë target të sulmeve të ulëta rrugaçërore magjistratët sa herë marrin vendime që nuk i pëlqejnë Kryeministrit rrugaç.
Do të duhej që për këtë rast të kishte reaguar me urgjencë Këshilli i Lartë Gjyqësor, e në rastet e prokurorëve Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si dy organet kushtetuese të qeverisjes së pushtetit gjyqësor. Por, si në rastin e prokurores Elsa Gjeli, ashtu edhe në rastin e gjyqtarit Hazbi Balliu, Këshillat kanë heshtur, sepse ata shqetësohen vetëm kur opozita denoncon me fakte ndonjë gjyqtare që fsheh shkarkimin e saj nga detyra në procesin e vettingut apo dënimet e marra në vendin fqinj nga formulari i dekriminalizimit, por në asnjë rast kur kryeministri lëshon gojën pa fre ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që përmbushin detyrën e tyre në përputhje me ligjin.
Gjyqtarët dhe prokurorët e pavarur, të paanshëm, të ndershëm dhe me integritet nuk kanë asnjë arsye të shqetësohen për sa kohë që në vendimmarrjet e tyre i binden vetëm Kushtetutës dhe ligjit, pavarësisht nëse kjo bën të palumtur Edi Ramën, qeverinë e tij apo Partinë Socialiste. Ndërkohë kushdo, brenda dhe jashtë vendit, që ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar mund ta kuptojë sa “i sinqertë” është Edi Rama dhe Partia Socialiste për reformimin e sistemit të drejtësisë, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe garantimin e shtetit të së drejtës. Për ta e vetmja “drejtësi” që funksionon, është ajo që burgos kundërshtarët politik, zvarrit hetimet ndaj korrupsionit qeveritar dhe amniston krimet zgjedhore.
Duke dënuar me forcë sjelljen rrugaçërore të Edi Ramës ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk marrin urdhra nga zyra e tij, apeloj KLGJ dhe KLP të reagojnë në mbrojtje të integritetit dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor.