Ballina Politika PL: ‘Tigrat’ e Ballukut po vjedhin 94 mijë euro/ditë! Të ndalet afera...

PL: ‘Tigrat’ e Ballukut po vjedhin 94 mijë euro/ditë! Të ndalet afera e TEC-eve lundruese në Vlorë

71
0

Partia e Lirisë kërkon anulimin e kontratës për dy TEC-et lundruese në Vlorë, të cilat po vjedhin pa mëshirë rreth 94,000 euro çdo ditë, ndërsa në tre vite kanë prodhuar vetëm 63,700 MWh ose baraz me konsumin treditor të energjisë elektrike në Shqipëri.

Në një deklaratë për median Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se PL solidarizohet me protestën e qytetarëve të Vlorës të cilët kërkojnë me vendosmëri largimin e e TEC-eve lundruese në Vlorë.

Një tjetër kërkesë është dhe kthimi i çdo qindarke të vjedhur, dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të dyshes Rama-Balluku.

“94,500 euro në ditë për TEC-et që nuk prodhojnë dhe 90,000 euro në ditë për inceneratorët që nuk ekzistojnë janë një kosto e madhe për xhepat e shqiptarëve që mezi përballojnë sot kostot e larta të jetësës por qartazi nuk përbëjnë shqetësim për Altin Dumanin, që sa më në dritë të diellit të kryhen vjedhjet e Edi Ramës, aq më të vështira i konsideron për t’u hetuar” deklaroi Blushi. 

Deklarata e Blushit

Për më shumë se tre vite, qytetarët shqiptarë janë dëshmitarë të një prej aferave më të zeza korruptive të dyshes Rama-Balluku, kontratës kriminale të dy TEC-eve lundruese në Vlorë.

“Tigrat” e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, dy rangalla energjetike të sjella nga Bangladeshi, janë shndërruar sot në simbole të grabitjes sistematike të buxhetit të shtetit, në emër të një “emergjence energjetike” që nuk ndodhi asnjëherë.
Me këto dy varka gjigande korrupsioni, Rama-Balluku, po vjedhin pa mëshirë rreth 94,000 euro çdo ditë, duke prodhuar në tre vite vetëm 63,700 MËh ose baraz me konsumin treditor të energjisë elektrike në Shqipëri.

Ndërkohë që dëmi financiar i përllogaritur nga TEC-et lundruese kap shifrën marramendëse 250 milion euro, buxheti i shtetit vazhdon të gërryehet çdo muaj me rreth 3 milion euro pagesa për një shërbim që nuk e ofrojnë.

Kjo është një aferë tipike e regjimit të Edi Ramës, një sistem kriminal dhe korruptiv i ngritur mbi vjedhjen, ku çdo kontratë, tender, PPP apo koncesion është një mekanizëm grabitjeje për të vjedhur sistematikisht një popull që lufton për mbijetesë në vendin më të varfër të Europës.

Dhe si në çdo regjim autokratik, drejtësia hesht.

“Tigrat” e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut po shqyejnë çdo ditë taksat e shqiptarëve sepse kreu i SPAK-ut, Altin Dumani i ka garantuar kësaj dysheje simbol të korrupsionit, imunitet të plotë politik për të grabitur dhe plaçkitur shqiptarët pa mëshirë.

Prej vitit të kaluar hetimet për TEC-et lundruese zvarriten sepse SPAK afërmendsh nuk ka as guximin dhe as vullnetin për të hetuar Edi Ramën, por vetëm për të shantazhuar, përndjekur dhe burgosur politikisht drejtuesit e opozitës për të lënë të lirë dhe të qetë mafien qeveritare që të vjedhë çdo ditë.

94,500 euro në ditë për TEC-et që nuk prodhojnë dhe 90,000 euro në ditë për inceneratorët që nuk ekzistojnë janë një kosto e madhe për xhepat e shqiptarëve që mezi përballojnë sot kostot e larta të jetësës por qartazi nuk përbëjnë shqetësim për Altin Dumanin, që sa më në dritë të diellit të kryhen vjedhjet e Edi Ramës, aq më të vështira i konsideron për t’u hetuar.

Partia e Lirisë mbështet me vendosmëri protestën e djeshme qytetare për largimin e TEC-eve lundruese në Vlorë dhe kërkon me force anulimin e menjëhershëm të kontratës kriminale, kthimin e çdo qindarke të vjedhur, dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të dyshes Rama-Balluku.

Asnjë pengim i qëllimshëm apo zvarritje politike hetimesh nuk do ta shpëtojë kurrë Edi Ramën dhe Belinda Ballukun nga llogaridhënia para drejtësisë dhe para shqiptarëve