Ballina Ekonomia Të ardhurat nga turizmi parashikohen në 6.7 mld euro

Të ardhurat nga turizmi parashikohen në 6.7 mld euro

31
0

Në 5 vitet e ardhshme, parashikohet që të ardhurat nga turizmi të arrijnë në 6.7 miliardë euro, kjo falë Strategjisë së re Kombëtare për Turizmin 2025–2030, e cila ka në objektiv transformimin e sektorit në një shtyllë të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Në dokumentin e publikuar në Fletoren Zyrtare, që do të orientojë zhvillimin e sektorit, strategjia synon rritjen me 76% të kapacitetit të shtretërve, duke arritur mbi 477 mijë shtretër, kundrejt 270 mijë që kanë qenë vitin e kaluar. Pra, një rritje mbi 207 mijë ose 76% të tyre.

Kjo rritje do të përqendrohet te shtretërit e hoteleve në masën 28% të strukturës totale, ndërkohë që shtretërit në struktura akomoduese me qira afatshkurtër do të reduktohen në masën 6%.

Ndër të tjera, në Strategjinë Kombëtare të Turizmit parashikohet ndihmë edhe me anë të disa instrumenteve fiskale, si dhe të kredive me kushte lehtësuese për investitorët. Numri i të punësuarve në turizëm pritet të arrijë në mbi 73.778 në vitin 2030 nga rreth 42 mijë që ishte vitin e kaluar, me një rritje prej 31 mijë personash ose 42.1%.

Nga ana tjetër, zhvillimi i sektorit të turizmit do të bazohet në gjashtë prioritete kryesore të zhvillimit që janë: investimet, politika rregullatore dhe fiskale e turizmit, menaxhimi i destinacioneve, zhvillimi i produkteve turistike, marketingu i destinacioneve dhe ngritja e kapaciteteve.

Për secilën prej prioriteteve përcaktohen politikat përkatëse që do të ndiqen, duke specifikuar se në drejtim të investimeve do të zbatohen stimujt fiskalë dhe skema të përshtatura të investimeve për të tërhequr investitorët vendas dhe ndërkombëtarë në projektet turistike.

Një fokus i theksuar i vendoset informalitetit në sektor, ndërsa për ta luftuar parashikohet një reformë e thellë në sistemin e taksave të turizmit.