Ballina Europë Brokoli i konservuar shkakton tragjedi, raportohet për një të vdekur dhe disa...

Brokoli i konservuar shkakton tragjedi, raportohet për një të vdekur dhe disa të shtruar në spital

32
0

Një ngjarje tragjike që ka ndodhur në vetëm pak orë në Kalabri, por tashmë ka ndezur alarmet në të gjithë zinxhirin agro-ushqimor kombëtar në Itali.

Prokuroria e Paolës ka urdhëruar sekuestrimin urgjent, në shkallë kombëtare, të një produkti ushqimor të dyshuar për helmim: bëhet fjalë për kavanozë me brokoli në vaj, që mendohet se kanë shkaktuar një intoksikim të rëndë nga botulizmi në provincën e Cosenza-s.

Bilanci është i rëndë: një viktimë dhe nëntë persona të shtruar në spital, mes tyre edhe dy familjarë të viktimës. I ndjeri është Luigi Di Sarno, 52 vjeç, turist nga Cercola (Napoli), i cili po kalonte pushimet në Kalabri.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, pasi kishte shfaqur simptomat e para, Di Sarno ishte paraqitur në një klinikë private në Belvedere Marittimo, por më pas kishte vendosur të nisej vetë drejt shtëpisë me makinë. Gjatë udhëtimit, gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm dhe vdiq në afërsi të Lagonegro, me shumë gjasë si pasojë e veprimit të neurotoksinës së botulizmit.

Hetimet dhe sekuestrimi i produktit

Prokuroria, nën drejtimin e prokurorit Domenico Fiordalisi, ka hapur një hetim me dyshimet për “vrasje si pasojë e një krimi tjetër” dhe “tregtim i ushqimeve të dëmshme”. Autoritetet janë gjithashtu duke verifikuar mundësinë e përgjegjësisë mjekësore, lidhur me mënyrën se si u trajtua rasti në klinikën ku u paraqit viktima.

Ndërkohë, është vendosur bllokimi dhe tërheqja nga tregu i të gjitha kavanozëve me brokoli në vaj, në përpjekje për të parandaluar raste të tjera të mundshme të helmimit.

Në një njoftim zyrtar, Departamenti i Shëndetësisë i Rajonit Kalabri bëri me dije se është aktivizuar protokolli emergjent, në bashkëpunim me Qendrën Anthelmimit të Pavias, e vetmja në Itali e autorizuar për menaxhimin e rasteve të botulizmit.

Sipas ligjit, asnjë rajon dhe asnjë spital nuk ka të drejtën të ruajë antidotin në strukturat e veta, pasi ai shpërndahet vetëm nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet Farmacisë Ushtarake dhe Qendrës së Pavias.

Aktualisht, Spitali “Annunziata” i Cosenza-s ka në dispozicion një rezervë të antidotit, një masë e jashtëzakonshme përballë situatës emergjente.

Një tjetër rast i ngjashëm në Sardenjë

Vetëm disa ditë më parë, një tjetër intoksikim serioz me botulizëm u regjistrua në Sardenjë, gjatë një eventi gastronomik të quajtur “Fiesta Latina” në Monserrato dhe Tortolì. Në atë rast, tetë persona përfunduan në spital me simptoma të ngjashme dhe dyshohet se shkaktar ishte një sallatë guacamole.

Në të dyja episodet, po hetohet për praninë e bakterit Clostridium botulinum, që prodhon neurotoksinën vdekjeprurëse. Autoritetet kanë frikë se alarmin ushqimor mund të përhapet më tej, ndërsa hetimet vazhdojnë në disa drejtime.