Një nga klubet më të vjetra dhe me traditë të futbollit holandez, Vitesse, ka mbyllur kapitullin e tij në arenën profesionale.
Pas një sërë përpjekjesh të dështuara për të shpëtuar licencën, Federata e Futbollit e Holandës dhe më pas edhe gjykata hodhën poshtë apelimet e klubit, duke vulosur kështu rikthimin e tij në futbollin amator.
I themeluar në vitin 1892 dhe pjesë e futbollit profesionist që nga viti 1954, Vitesse festoi më 14 maj 133-vjetorin mes krizës më të rëndë në histori. Pas rënies nga Eredivisie në vitin 2024, situata financiare u përkeqësua në mënyrë dramatike, pavarësisht kërkimeve për investitorë të rinj dhe planeve të shpëtimit.
Në vitet ’90, klubi nga Arnhem përjetoi një periudhë të artë, duke ndërtuar stadiumin modern në Arnhem-Zuid, me ambicien për t’u bërë një forcë e qëndrueshme në elitën holandeze. Për një kohë, Vitesse ishte pranë kualifikimit në UEFA Champions League, por shpenzimet tej të ardhurave krijuan një borxh prej 55 milionë eurosh.
Më pas, doli në dritë se ish-pronari i Chelsea-t, Roman Abramovich, kishte shlyer 117 milionë euro borxhe të klubit përmes ndërmjetësve si Merab Jordania, Alexander Chigirinsk dhe Valery Oyf, të cilët figuronin si pronarë zyrtarë.
Vitesse nuk njihej vetëm për paraqitjet në kampionat, por edhe për prodhimin e talenteve. ‘Yje’ si Phillip Cocu, Roy Makaay, Marco van Ginkel dhe Ëilfried Bony kanë kaluar nga ky klub. Falë lidhjes së ngushtë me Chelsea-n, në Arnhem kanë luajtur edhe emra të njohur si Nemanja Matić, Mason Mount dhe Martin Ødegaard, pa harruar dhe ‘boberin’ shqiptar, Armando Broja.
Në përiudhën 2015-2018 me këtë skuadër ka spikatur edhe sulmuesi dardan, Milor Rashica, që numëron 13 gola në 83 ndeshje në total në Eredivisie.