Ballina Rajoni Ndërpriten shërbimet e trageteve/ Pezullohen lundrimet, mijëra turistë mbeten në pritje

Ndërpriten shërbimet e trageteve/ Pezullohen lundrimet, mijëra turistë mbeten në pritje

83
0

Erërat që arrijnë deri në 60 km/h kanë detyruar autoritetet portuale të vendosin ndalim lundrimi që do të qëndrojë në fuqi të paktën deri në orën 13:00 të së premtes, me mundësi zgjatjeje në varësi të kushteve atmosferike.

Mes kulmit të trafikut turistik veror, erërat e fuqishme në Detin Egje kanë ndërprerë shërbimet e trageteve në disa nga linjat më të frekuentuara të Greqisë, duke lënë mijëra pushues të bllokuar në porte.

Ndalimi prek të gjitha portet kryesore të Atikës, me përjashtim të disa rrugëve të zonës Argosaronike që vazhdojnë të operojnë. Në portin e Rafinës janë pezulluar nisjet drejt Cikladeve, ndërsa udhëtimet për në Marmari zhvillohen normalisht.

Edhe Pireu, porti më i madh i vendit, ka pezulluar të gjitha lundrimet, ndërsa nga porti i Lavrios nuk lejohet lundrimi për në Kythnos dhe në linjën Agia Marina–Nea Styra.

Autoritetet portuale njoftojnë se po monitorojnë nga afër raportet e përditësuara të motit dhe do të japin “dritën jeshile” për nisjet sapo të përmirësohen kushtet atmosferike.

Ndërkohë, mijëra pasagjerë mbetën të bllokuar mëngjesin e së premtes dhe po presin me durim për të udhëtuar drejt destinacioneve të tyre të pushimeve. Trafiku i rënduar dhe qindra automjete të bllokuara nëpër porte kanë shtuar kaosin dhe vonesat.

Roja Bregdetare greke ka bërë thirrje që udhëtarët të kontrollojnë oraret e përditësuara me kompanitë përkatëse përpara se të shkojnë në porte dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme në zonat portuale deri në një njoftim të dytë.

Sipas meteorologëve, erërat e forta pritet të vazhdojnë deri të dielën, çka mund të shkaktojë vonesa dhe anulime të tjera në ditët në vijim. Autoritetet apelojnë për durim dhe kujdes nga ana e pasagjerëve.