Ballina Opinion Gardhi i policëve tek News24, si qershia mbi tortën europiane të regjimit

Gardhi i policëve tek News24, si qershia mbi tortën europiane të regjimit

0
23

Nga Klodian Tomorri

Kur Edi Rama lëshoi papritur rruspat në Theth, kishte nga ata që me naivitet besuan se mandati i katërt do ta fuste më në fund Shqipërinë në shinat e një shteti ligjor. Si për ta përforcuar më shumë idenë e gënjeshtërt të shteti ku këtej e tutje do të sundojë vetëm ligji, pas fadromave të Thethit erdhën ato të Tiranës.

Këtë herë paligjshmëria shfaqej në tendat e bizësit, të cilat kishin zënë hapësirën publike duke sfiduar jo vetëm ambicien por edhe të ardhmen e një shteti që po bëhej gati të hynte në Bashkimin Europian.

Ndonëse aksioni i tendave u njollos nga selektiviteti, kjo nuk e cënonte aspak qëllimin e vërtetë të Teatrit me shumë akte. Dhe sigurisht ky nuk ishte instalimi i shtetit ligjor, por instalimi i diçkaje tjetër, e cila do të bëhej pak më e qartë në aksionin e radhës.

Pas tendave, regjisori kishte vënë në radhë Kodin e ri Penal. Drafti kopil me 900 e ca nene, të cilit nuk i gjendet babai, përveç një loloje që del e deliron publikisht si njeriu më i ndershëm i Shqipërisë, me shumë gjasa nuk ka për t’u miratuar kurrë.

Sepse regjisori apo më saktë regjimi nuk e ka patur asnjëherë qëllimin e miratimit të një Kodi modern që do të rregullonte sjelljen e shoqërisë në Shqipërinë e re Europiaë. Qëlllimi i vërtetë i tij ishte instalimi i frikës.

Dhe sikur tre provat e njëpasnjëshme të rruspave dhe Kodit të mos mjaftojnë, këtë të Diel shqiptarëve iu servir e katërta. Që në orët e para të mëngjesit, dhjetra policë u lëshuan në redaksinë e News 24 duke rrethuar televizionin si dhe duke ndëprerë në mënyra brutale sinjalin e transmetimit.

Gardhet e policëve në redaksinë e një televizioni janë pamje që Shqipëria për herë të fundit i ka parë në vitet e largëta të shekullit të kaluar. Por ndërsa suflerët e regjimit tashmë do të tjerrin me zell në publik tezën e Irfanit të Tmerrshëm, që nuk paguan taksat dhe që ka zaptuar pronën publike, kjo është gjëja më e parëndësishme e të gjithës.

News 24 nuk u godit se Rama ka konflikt me Irfan Hysenbelliun apo se qeverisë, që ndan Shqipërinë përditë tek klientët e saj, i dhimbset prona publike dhe një ndërtesë e rrënuar diku në Shkozë. Irfani pati thjesht fatin e keq që e caktuan të ishte dëmi anësor i një operacioni shumë më të madh se ai. Ky është instalimi i frikës, që nisi në Theth dhe kulmoi në redaksinë e Newsit.

Por nëse qëllimi është instalimi i frikës, e vërteta që ai zbulon është shumë më tragjike se kaq. Gardhi i uniformave në dyert e një mediaje është demaskimi më flagrant i një prej talljeve më të mëdha publike në historinë e shtetit shqiptar. Ky është premtimi se Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian brenda vitit 2029.

Një shtet që godet mediat kaq haptazi nuk ka asnjë shans të anëtarësohet në Europë, në të ardhmen e parashikueshme. Sepse ajo që ka ndodhur sot me ëës 24 kaloi edhe përtej modelit Erdogan.

Me Erdoganin ishim deri tek varianti i ABC ëës, që mediat kundërshtare blihen nga patericat e regjimit. Kjo e Newsit e çon Shqipërinë më afër Putinizmit. Dhe të besoh që Shqipëria do të anëtarësohet në BE brenda vitit 2029 është njësoj si të besosh që Rusia do të hyjë një vit më vonë.

Vetë Edi Rama e ka të qartë se BE nuk ka asnjë plan anëtarësimi për Shqipërinë. Dhe edhe sikur të kishte me të vërtetë, këtë të dielë ai plan do të kishte rënë përfundimisht. Por historia e anëtarsimit lindi si një premtim për të mbushur asgjënë e qeverisjes dhe për të balancuar mbylljen e derës së Edi Ramës në Uashington. Këto ishin arsyet që e detyruan Edi Ramën të bëhej eurokrat nga halli pas 30 vitesh në politikë.

Kjo është e vërteta e madhe që na zbulojnë aksionet me rruspa dhe turma policësh në fillimmandatin e katërt. Dhe të gjithë ata që natyrshëm shtrojnë pyetjen se pse i duhet Edi Ramës të instalojë frikë, kur ka pushtet të pakufizuar, përgjigjen e kanë tek një pyetje tjetër. Po 83 mandate përse i duheshin?

Nuk ka asgjë të çuditshme në të gjithë këtë sepse ky është kursi natyral i regjimeve. Ashtu si prestigjatorët kanë nevojë të elektrizojnë turmën, edhe regjimet kanë nevojë për rruspa dhe policë. Sigurisht edhe për premtimet e zëna kos të zonjës Marta Kos.