Ballina Kuriozitete Parashikimi i parë për dimrin – çfarë moti pritet të mbretërojë?

Parashikimi i parë për dimrin – çfarë moti pritet të mbretërojë?

39
0

A na pret një dimër më i ftohtë dhe më me borë në 2025/2026?

Të dhënat më të fundit atmosferike tregojnë një ndryshim të rëndësishëm me erërat në lartësi, të cilat mund të sjellin pikërisht kushte të ndryshme atmosferike në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Evropë.

Bëhet fjalë për fenomenin e njohur si “Quasi-Biannial Oscillation”(QBO), një model erërash që ndryshon drejtimin çdo një deri dy vite dhe ka një rol kyç në formësimin e kushteve sezonale të motit.

Dimrat me kushtet e ngjashme në të kaluarën kanë shënuar dobësim të ‘Vortexit Polar’, gjë që ka rezultuar me depërtime më të ftohta dhe më shumë borë, shkruan Severe Weather Europe.

Çfarë është QBO?

Ashtu si oscilacionet e oqeaneve, edhe atmosfera ka ciklet e veta. Një nga më të rregulltat është “Quasi-Biannial Oscillation” (QBO), që i referohet ndryshimit të rregullt të drejtimit të erërave në stratosferën tropikale të lartë.

Erërat e forta që rrotullohen rreth ekuatorit ndryshojnë plotësisht drejtimin e tyre rreth çdo 17 muaj, duke kaluar nga lindore në perëndimore dhe anasjelltas.

Për shkak të rregullsisë së tij, ky fenomen shpesh quhet “rrahje zemre e atmosferës”. Ky ndryshim, i nxitur nga ndërveprimi kompleks i valëve atmosferike, ndikon në qarkullimin global në përgjithësi.

Analiza e të dhënave të 20 viteve të fundit tregon qartë se erërat lindore dhe perëndimore ngadalë zbresin nëpër stratosferë.

Të dhënat aktuale konfirmojnë se erërat lindore po zbresin, që do të thotë se faza negative e QBO-së do të jetë aktive gjatë sezonit dimëror 2025/2026.

QBO dhe vorteksi polar

Arsyeja kryesore pse QBO është i rëndësishëm për parashikimet dimërore është ndikimi i tij në ‘Vorteksin Polar’.

‘Vorteksi Polar’ është një zonë e gjerë me ajër të ftohtë dhe presion të ulët mbi pole gjatë dimrit.

Stabiliteti i tij është kyç për mbajtjen e të ftohtit në veri. Gjatë fazës lindore (negativë) të QBO-së, stratosfera bëhet më e përshtatshme për depërtimin e energjisë nga shtresat më të ulëta të atmosferës.

Kjo e shqetëson dhe dobëson ‘Vorteksin Polar’, duke e bërë atë më të prirur për “shpërbërje”.

Një ‘Vorteks Polar’ i dobët dhe i paqëndrueshëm e ka më të vështirë të mbajë ajrin e ftohtë, i cili më pas depërton më lehtë drejt jugut, duke sjellë mot më të ftohtë në SHBA, Kanada dhe Evropë.

Thjesht, për një dimër të ftohtë dhe me borë është i nevojshëm një ‘Vorteks Polar’ i dobët, dhe duket se faza negative e QBO-së rrit mundësitë për një skenar të tillë.

Sinjalet e para për dimrin 2025/2026

Edhe pse është një parashikim afatgjatë, llogaritjet e para të modeleve tashmë tregojnë shenja që përputhen me ndikimin e QBO-së negative.

Analiza e dimrave të kaluar me këtë model tregon një tendencë për formimin e një sistemi bllokues me presion të lartë mbi rajonet polare.

Kjo shqetëson rrjedhën e stratosferës dhe hap rrugën për ajrin e ftohtë. Si rezultat, në Kanada dhe në mesperëndim dhe lindje të SHBA-ve, temperaturat shpesh kanë qenë më të ulëta se mesatarja.

Parashikimi më i fundit sezonal i modelit ECMWF për dhjetor të vitit 2025 tregon pikërisht këtë model: presion i lartë në veri dhe një zonë me presion të ulët mbi lindjen e Kanadasë, që mund të sjellë depërtime të ftohta drejt SHBA-së.

Për Evropën, muaji më interesant është janari i vitit 2026, ku parashikimi gjithashtu tregon një bllokadë të fortë veriore, që do t’i sillte kontinentit një erë veriore-lindore më të ftohtë dhe temperatura rreth ose nën mesataren.

Çfarë është ngrohja e papritur stratosferike?

Ngjarja më dramatike që lidhet me ‘Vorteksin Polar’ të dobët është ngrohja e papritur stratosferike (SSW).

Kjo është një rritje e shpejtë e temperaturës dhe presionit në stratosferën polare, që në mënyrë të drejtpërdrejtë shkakton kolapsin e ‘Vorteksit’. Një ngjarje e tillë, që ka më shumë gjasa të ndodhë gjatë fazës negative të QBO-së, mund të ketë pasoja të gjera për motin në nivel të tokës.

Edhe pse efektet duhen disa javë për të arritur në sipërfaqe, të dhënat historike tregojnë se pas një ngrohjeje të tillë stratosferike, shumica e SHBA-së dhe pjesa veriore dhe qendrore e Evropës zakonisht përjetojnë mot më të ftohtë se zakonisht.

Kjo shoqërohet edhe me reshje dëbore mbi mesataren në lindje të SHBA-së dhe në pjesën më të madhe të Evropës, sepse çrregullimi në qarkullim hap një “autostradë” për depërtimin e ajrit të ftohtë.

Duke marrë parasysh sinjalet gjithnjë e më të forta që tregojnë për ‘Vorteks Polar’ të dobët, rritet edhe probabiliteti për një periudhë më të ftohtë dhe me më shumë dëborë gjatë dimrit 2025/2026.