Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Jola Hysaj, ka reaguar ashpër pas ngjarjes së sotme ku policia rrethoi godinën e mediave News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, duke ndërprerë sinjalin televiziv dhe bllokuar punën e gazetarëve.
Hysaj e cilëson këtë veprim si një “uzurpim të fjalës së lirë” dhe një vazhdimësi të një strategjie të ndërtuar hap pas hapi për të heshtur çdo zë të pavarur në vend. Sipas saj, kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por pjesë e një plani të qartë për të mbytur median kritike, duke i kujtuar opinionit publik precedentët si mbyllja e Agon Channel dhe censurën e ushtruar ndaj gazetarëve të pavarur.
“Fjala e lirë nuk është luks, është oksigjeni i demokracisë. Kur na marrin oksigjenin, fillojmë të mbytemi si shoqëri,” shprehet Hysaj, duke paralajmëruar se heshtja sot do të thotë mungesë e çdo hapësire për të folur nesër.
Ajo e përshkruan aksionin e sotëm si një veprim të dhunshëm dhe arbitrar, të kryer pa vendime gjykate dhe në mënyrë të befasishme në orët e para të mëngjesit, ku përveç bllokimit të sinjalit televiziv, u ndërpre edhe energjia elektrike e godinës.
Hysaj e mbyll reagimin e saj me tone të forta politike, duke e cilësuar këtë një tjetër provë se “me këtë regjim nuk ka demokraci, nuk ka liri, nuk ka të drejta, nuk ka integrim”.