Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha të shtunën se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviç, e nënshkroi “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë” një marrëveshje me prokurorët e Kosovës për ta pranuar fajësinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Ajo nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimin se Popoviç e pranoi fajësinë nën presion.
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të premten Popoviçin me gjashtë muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, dënim që iu zëvendësua me një gjobë prej 3.000 eurosh, si dhe ia ndaloi hyrjen në Kosovë për dy vjet.
Popoviq – i cili është ndihmës i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe – kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë Speciale të Kosovës për pranimin e fajësisë për nxitje dhe përhapje të urrejtje dhe mosdurimit ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit më 18 korrik.
Gjatë atij fjalimi, Popoviç, ndër të tjera, e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.
Vetë Popoviq e pranoi të premten para gjykatësit disa herë se qëndron prapa marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se marrëveshjen e kishte nënshkruar pa asnjë lloj presioni.
Në një komunikatë të shtunën, Ministria serbe pretendoi se gjyqi kundër Popoviçit ishte “një shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të popullit serb”.