Ballina Kronika Trafikonte armë drejt Italisë, arrestohet në Lezhë kreu i organizatës kriminale! Dy...

Trafikonte armë drejt Italisë, arrestohet në Lezhë kreu i organizatës kriminale! Dy herë i dënuar në Milano

21
0

Françesk Mecaj është arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Dërgesa”. Ky shtetas, i lindur në Shkodër dhe banues në Hot të Malësisë së Madhe akuzohet për trafikim të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake.

Autoritetet shqiptare në koordinim me ato italiane bënë të mundur goditjen e këtij grupi kriminal, në të cilin bënte pjesë edhe Mecaj.

30-vjeçari, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe i dënuar dy herë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në qytezën e Lecco-s pranë Milanos/Itali, akuzohet se kishte dërguar armë drejt shtetit fqinj kundrejt fitimit financiar.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Dërgesa”, për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak

Operacioni u zhvillua nga DVP Lezhë në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Shkodër dhe GdF Italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri.

Dërgoi 5 armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak në Itali – kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari nga Malësia e Madhe.

30-vjeçari, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe i dënuar dy herë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në qytezën e Lecco-s pranë Milanos/Itali, u arrestua si rezultat i operacionit.

Në pranga u vunë gjithashtu edhe dy shtetas, drejtues të një mikrobusi për transport udhëtarësh, në bagazhet e të cilit u gjetën armët dhe municioni luftarak.

Sekuestrohen 5 armë zjarri automatike të tipit kallashnikov; qindra fishekë luftarakë dhe 4 krehra fishekësh.

Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga shtetasit E. M. dhe A. D.. Të dy këta shtetas janë shoqëruar nga Policia Italiane për veprime të mëtejshme.

Hetimet e Policisë së Lezhës bënë të mundur identifikimin e shtetasit F. M., 30 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Hot të Malësisë së Madhe, i cili kishte dërguar armët drejt Italisë kundrejt fitimit financiar.

Nga grumbullimi dhe analiza e informacionit, rezultoi se ky shtetas siguronte armë dhe municione luftarake për palë të treta në BE, duke përdorur shoqëri transporti privat dhe duke i kamufluar në valixhe me sende të ndryshme.

Operacioni vijon në Shqipëri e  Itali për identifikimin dhe kapjen e pritësit të armëve, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

Materialet procedurale ndaj shtetasit F. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.