Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nderon bashkëdrejtuesin e fushatës së vitit 2024, Chris LaCivita.
Arkitekti i fitores së Donald Trump, një veteran i dekoruar i Korpusit të Marinës së SHBA-së u nderua me medaljen “Purple Heart” për plagët e marra gjatë Luftës së Gjirit Persik në vitin 1991.
Kujtojmë se LaCivita udhëhoqi dhe fushatën e PD-së në Shqipëri zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Ceremonia e nderimit u mbajt në Shtëpinë e Bardhë me rastin e Ditës Kombëtare të “Purple Heart” më 7 gusht 2025.
“Na bashkohet edhe marinsi veteran që bashkëmenaxhoi fushatën time të vitit 2024, një talent fantastik në shumë aspekte, i plagosur në betejë për vendin tonë gjatë Operacionit Stuhia e Shkretëtirës, Chris LaCivita” thotë Trump në videon e postuar në rrjetin social në X. Në ceremoninë e dekorimit Chris La Civita shoqërohej nga vajza e tij, Victoria.
“Purple Heart”, është dekorata ushtarake më e vjetër ende në përdorim, e cila u jepet pjesëtarëve të forcave të armatosura që vriten ose plagosen gjatë përfshirjes në veprime luftarake kundër armikut ose si pasojë e akteve terroriste. Sipas “National Purple Heart Hall of Honor”, që nga krijimi i saj në vitin 1782, janë dhënë mbi 1.8 milionë medalje.
Është një nga medaljet më të vjetra të SHBA-së, e krijuar fillimisht nga George Washington më 1782 (atëherë si “Badge of Military Merit”), dhe ka formën e një zemre me portretin e Washingtonit në mes. Marrja e saj shihet si një nder i madh në ushtri, pasi simbolizon sakrificën personale në mbrojtje të vendit.