Qeveria ka vënë në dispozicion 3 miliardë lekë në formën e garancisë sovrane, që synon të ofrojë mundësi për fermerët të cilët marrin kredi me kushte të favorshme për investime në bujqësi. Shuma maksimale e kredisë që mund të përfitojë një huamarrës është 25 milionë lekë, me një normë interesi të favorshme deri në 2% dhe me afat shlyerjeje nga 3 deri në 5 vite. Qeveria do të jetë garante për 70% të huasë, por jo për interesat dhe penalitetet.
“Kjo është një tentativë për ta nxitur kreditimin në bujqësi, por unë them që nuk është i mjaftueshëm, sepse krahas garancisë sovrane, është e rëndësishme që të kombinohet edhe me mekanizma të tjerë. Nga njëra anë është tregu dhe lënia e fermerit në marrëdhënie me sistemin bankar, që nuk është e lehtë sepse fermeri nuk ka informacion të mjaftueshëm, nuk ka mundësi të përpilojë dokumentacionin e nevojshëm”“, tha Gjok Vuksani, ekspert për bujqësinë.
Për të përfituar, fermerët mund të aplikojnë pranë bankave të nivelit të dytë deri më 20 nëntor. Ata duhet të kenë NIPT fermeri, të jenë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të mos kenë detyrime të papaguara apo probleme të tjera ligjore. Kreditë më pas do të disbursohen deri më 20 dhjetor. Por ekspertët, përtej nismave të tilla, kërkojnë një strategji afatgjatë për zhvillimin e bujqësisë në vend, që jep zgjidhje edhe për probleme të tjera të sektorit.
“Duhet një strategji më e gjerë. Është e rëndësishme që gjithë bujqësia shqiptare të shikohet me një plan më të gjerë, të shihen politikat mbështetëse, në çfarë drejtimi do të shkojë bujqësia shqiptare në 10 vitet e ardhshme? Duhet të zgjidhet edhe problemi i sigurimit në bujqësi në raste të fatkeqësive natyrore. Duhet të kemi një qasje tjetër për fuqinë mendore ose specialistët në bujqësi, të punojnë më të aftët. Qasja tjetër është edhe automatizimi, mekanizimi i bujqësisë. Ne kemi ngelur akoma me 10 mijë traktorë. Ne kemi shpopullim, ikje të krahut të punës nga fshati dhe mënyra më e mirë për t’i zëvendësuar është mekanizimi i procesit.”
Aktualisht, bujqësia përfiton më pak se 2% të kredisë totale në vend. Kjo shkallë e ulët kreditimi për këtë sektor ka ardhur për arsye të ndryshme, mes të cilave informaliteti, problemet me pronësinë dhe risku i lartë që mbart.