Sot shënohen 37 vjet nga një nga krimet më të rënda të diktaturës komuniste në Shqipëri , ekzekutimi me varje në publik i poetit dhe mësuesit Havzi Nela.
Më 10 gusht të vitit 1988, vetëm dy vite para shembjes së regjimit komunist, Havzi Nela u vra barbarisht me urdhër të drejtuesve të diktaturës hoxhiste.
Firmën për ekzekutimin e tij e hodhën Ramiz Alia dhe Kristaq Rama, ky i fundit babai i kryeministrit, Edi Rama.
Edhe pas vrasjes, regjimi nuk u mjaftua: Havzi Nela u varros pa asnjë shenjë dalluese, në një gropë të hapur për shtylla elektrike, dhe u gjet vite më vonë pa kokë.
Havzi Nela ishte një nga zërat e rrallë të guximit dhe mendimit të lirë në një kohë terrori total. Ai e pagoi me jetën e tij kundërshtimin ndaj kolektivizimit, ndalimit të fesë dhe shkeljes së të drejtave themelore të njeriut.
Për këtë arsye, regjimi e konsideroi “armik të betuar” dhe e dënoi me varje, pasi kishte kaluar plot 21 vite burgimi në Spaç, Qafë Bar, Ballsh, dhe kampe të tjera famëkeqe.
Në shtëpinë e tij, gjatë arrestimit, u sekuestruan 118 libra letrarë, historikë dhe politikë – dëshmi e mendjes së ndritur dhe kulturës së gjerë që ai zotëronte.
Krijimtaria e tij letrare u zbulua pas vdekjes, duke e vendosur emrin e Havzi Nelës përkrah poetëve më të rëndësishëm shqiptarë.
“Trupi i tij ishte zhdukur nga vuajtjet, por idetë dhe mendimet e tij e mbanin gjallë,” thotë studiuesi Zyberaj.
Sot, emri i tij është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” dhe një shkollë në vendlindje mban emrin e tij.