Shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, bllokuan një mjet lundrues “Jet ski” i cili po kryente manovra të rrezikshme në liqenin e Pogradecit dhe po rrezikonte pushuesit.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndëshkuar pronarin e mjetit lundrues, shtetasin A. B. (babai i dy të miturve që drejtonin “Jet ski”-në), me masën administrative 100 000 lekë, për shkelje të ligjit “Për mjetet lundruese”, dhe 10 000 lekë, për shkelje të ligjit “Për aktivitetin e turizmit detar”.
Policia Kufitare u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.
Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.