Ballina Europë Mbi 470 të arrestuar në Londër gjatë protestës kundër ndalimit të “Palestine...

Mbi 470 të arrestuar në Londër gjatë protestës kundër ndalimit të “Palestine Action”

15
0

Më shumë se 450 persona janë arrestuar në Londrën qendrore gjatë protestës më të madhe të mbajtur që nga ndalimi i grupit Palestine Action si organizatë terroriste.

The Guardian shkruan se të shtunën në mbrëmje, Policia Metropolitane deklaroi: “Sheshi i Parlamentit dhe Whitehall janë pastruar. Deri në orën 21:00, janë arrestuar 466 persona për shfaqje mbështetjeje ndaj Palestine Action. Janë kryer edhe tetë arrestime të tjera për vepra të ndryshme, përfshirë pesë sulme ndaj oficerëve.”

Policia tha se totali prej 474 arrestimesh ishte numri më i lartë i arrestimeve të kryera në një operacion të vetëm në të paktën një dekadë.

Përpara ngjarjes së planifikuar, Policia Metropolitane kishte kërkuar mbështetje nga forca të tjera policore për të krijuar një prani të konsiderueshme sigurie, duke parashikuar një numër të lartë arrestimesh.

Të shtunën pasdite, qindra persona u mblodhën në Sheshin e Parlamentit në një demonstratë të organizuar nga grupi Defend Our Juries, të cilët thanë se rreth 1 mijë persona me pankarta kishin marrë pjesë.

Sipas policisë, në fillim të protestës në shesh ndodheshin rreth 500–600 persona, por “shumë prej tyre nuk po merrnin pjesë aktive.”

Një zëdhënës i Defend Our Juries deklaroi: “Fakti që kaq shumë njerëz dolën sot në proteste duke rrezikuar të arrestohen tregon neverinë dhe turpin që ndiejnë për bashkëpunimin e qeverisë sonë në një gjenocid të transmetuar drejtpërdrejt. Kjo gjithashtu tregon sa larg janë të gatshëm të shkojnë për të mbrojtur liritë e lashta të këtij vendi.”

Sipas grupit, shumica e të arrestuarve janë liruar me garanci (street bail) dhe janë lejuar të shkojnë në shtëpi, duke e quajtur situatën një turp për Yvette Cooper, Ministren e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, që e ka promovuar ndalimin e grupit.

Në mbrëmje, Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, falënderoi oficerët e policisë dhe ripohoi ndalimin e Palestine Action, duke thënë: “Shumë njerëz ndoshta nuk e njohin realitetin e këtij grupi, por vlerësimet janë të qarta, ky nuk është një organizim paqësor. Siguria kombëtare dhe ajo publike e Mbretërisë së Bashkuar duhet të jetë gjithmonë prioriteti ynë.”

Protesta nisi në orën 13:00, por policia filloi arrestimet pak më parë, kryesisht të personave që mbanin pankarta në mbështetje të Palestine Action. Një grua, ndërsa po tërhiqej nga policia, thirri:

“Ju të gjithë keni të dashurit tuaj, por po arrestoni njerëzit e gabuar. Arrestoni ata që janë atje (duke treguar drejt parlamentit), ata që janë bashkëpërgjegjës për gjenocidin.”

Dy gra, njëra në moshën 70-vjeçare, u arrestuan gjatë një interviste me The Guardian. Njëra prej tyre tha: “Njerëzit janë të lodhur duke parë gjenocid në ekranet e tyre. Ajo që bën Palestine Action është veprim proteste, jo terrorizëm. Avionët e Forcave Ajrore Britanike janë ata që janë terroristë, ata shkojnë dhe vrasin fëmijë.”

Palestine Action u ndalua në qershor, disa ditë pasi aktivistët e saj sulmuan një bazë ushtarake të RAF dhe vandalizuan dy avionë ushtarakë me spraj. Mbështetja për grupin tani është vepër penale, me dënohet deri në 14 vite burg.