Temperaturat e larta të vazhdueshme kanë çuar në një ulje të ndjeshme të prurjeve në lumenjtë që furnizojnë me ujë rezervuarin më të madh të vendit.
Kushtet e krijuara kanë ndikuar në reduktimin e ndjeshëm të furnizimit me ujë të liqeneve artificiale dhe hidrocentraleve kryesore të vendit.
Gjendja është më e theksuar në liqenin e Fierzës, i cili përbën burimin më të madh të ujit dhe një hallkë kyçe në sistemin energjetik kombëtar. Ky liqen po shënon rënie të vazhdueshme të nivelit, jo vetëm për shkak të mungesës së reshjeve dhe prurjeve, por edhe nga prodhimi i energjisë që vijon me dy turbina në hidrocentralin e tij.
Kuota aktuale e ujit ka arritur në 274 metra mbi nivelin e detit, duke iu afruar pragut minimal të funksionimit optimal.
Sipas parashikimeve të meteorologëve, situata rrezikon të rëndohet, pasi gjatë javëve të ardhshme nuk priten reshje të konsiderueshme, ndërkohë që temperaturat e larta do të vijojnë gjatë gushtit.
Kjo thatësirë dhe vala e nxehtësisë po e vë në vështirësi sistemin energjetik, duke detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) të rrisë blerjen e energjisë nga tregjet ndërkombëtare për të përmbushur kërkesën vendase.