Ballina Politika Zbulohet raporti i Avokatit të Popullit/ Arrestimi i Metës nuk ishte dinjitoz,...

Zbulohet raporti i Avokatit të Popullit/ Arrestimi i Metës nuk ishte dinjitoz, u shkelën të drejtat e njeriut, por…

24
0

Ilir Meta nuk u trajtua në mënyrë dinjitoze gjatë arrestimit në datë 21 tetor 2024, por ai nuk është rrëmbyer, sikurse pretendon ish-funksionari dhe avokatët e tij.

Në raportin e Avokatit të Popullit, thuhet se gjatë arrestimit të ish-presidentit, ka shkelje të të drejtave të njeriut pasi sikurse është vërejtur, në momentin e parë duhet t’i vendosej në dispozicion vendimi i gjykatës, pra të informohej për masën e arrestit si dhe t’i rezervohej e drejta e një telefonate, pra me avokatin.

Diçka e tillë nuk ka ndodhur, bëhet me dije, dhe nëse ka ndodhur barra për ta provuar procedurën nuk i takon të dyshuarit, por Policisë, e cila duhet të kishte kamera trupi për ta provuar.

Por, policia nuk ka pasur kamera trupi që të provojnë versionin që këmbëngulin, ndaj merret i vërtetë versioni i pretendentit, në këtë rast besohet Ilir Meta.

Gjetjet e tjera të Avokatit lidhen me përdorimin e jelekut, një shenjë dalluese, e cila konstatohet se ishte e shkruar policia vetëm në kurrizin e oficerëve dhe jo përpara, ç’ka do të informonte të dyshuarin për operacionin, si edhe për prezencën e forcave operacionale, të cilat aktivizohen vetëm në rast të rrezikshmërisë së shtetasit që do të arrestohet

Në këtë rast, i arrestuari konsiderohet se nuk ishte i rrezikshmërisë së lartë përsa kohë i është përgjigjur ftesave të SPAK dhe është treguar i gatshëm të ballafaqohet me drejtësinë.

Shkelje e të drejtave është konsideruar edhe shoqërimi i Atemis Pecës, që ishte në të njëjtin mjet me Metën. Për të, konstatohet se është mbajtur me pranga në ambientet e drejtorisë, pa qenë e nevojshme.

Ilir Meta, ndonëse nuk është dërguar në dhomat e shoqërimit, rezulton nga kontrolli i Avokatit të Popullit se emri i tij u regjistrua në sistem dy orë me vonesë.