Walt Disney dhe aktorja Gina Carano kanë arritur një marrëveshje pas një mosmarrëveshjeje ligjore që nisi pas largimit të saj nga seriali i suksesshëm “The Mandalorian”. Lajmin e konfirmoi një zëdhënës i Lucasfilm, dega e Disney që prodhon serialin.
Carano u largua nga projekti në vitin 2021, pas postimeve në rrjetet sociale që Disney i cilësoi si “të neveritshme dhe të papranueshme”, duke i konsideruar ato si poshtërim ndaj njerëzve bazuar në identitetin e tyre kulturor dhe fetar. Në vitin 2024, aktorja paditi Disney për “diskriminim gjinor” dhe pushim të padrejtë nga puna, duke argumentuar se ajo u penalizua për shprehjen e pikëpamjeve konservatore, ndërsa kolegët meshkuj me qëndrime të ngjashme nuk pësuan masa.
Pas përfundimit të padisë, Lucasfilm shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm me Carano në të ardhmen. Nga ana e saj, aktorja e quajti zgjidhjen “rezultatin më të mirë për të gjitha palët” dhe falënderoi Elon Musk për mbështetjen gjatë këtij procesi.
Gina Carano ka qenë subjekt kritikash të shumta për postimet e saj në rrjetet sociale, ku ka sfiduar masat kundër COVID-19 dhe ka përsëritur pretendime të kontestuara për mashtrim zgjedhor në zgjedhjet amerikane të vitit 2020.