Ikja e papritur e Endri Fugës nga Shqipëria nuk ishte një vendim i zakonshëm. Burime brenda Partisë Socialiste thonë se pas saj fshihen muaj të tërë tensione, përplasje të fshehta dhe frikë nga hetimet e SPAK, që mund të shtriheshin deri te rrethi i ngushtë i kryeministrit. Fuga, prej vitesh “eminenca gri” e Ramës dhe njeriu që kontrollonte fijet e komunikimit politik, e ndiente se rreziku po afrohej. Ai shihte si paralajmërim rastin e Arben Ahmetajt, ish-bashkëpunëtorit të ngushtë të Ramës, i cili u lëshua dhe u la i ekspozuar përballë drejtësisë. Marrëdhënia mes Ramës dhe Fugës kishte degraduar në një lojë kërcënimesh të koduara dhe mesazhesh përmes njerëzve të përbashkët.
Sidomos pas sinjaleve se në hetimet e SPAK për Erion Veliajn që përfshijnë biznese ndërtimi, fonde të dyshimta dhe kompani-fantazmë mund të përfshihej edhe emri i Fugës. Sipas burimeve, dyshohet se prej kohësh agjentët e BKH kishin përgjuar një lokal të njohur në Tiranë te Pazari i Ri, të frekuentuar rregullisht nga Endri Fuga, Arbi Mazniku, bashkëshortet e tyre dhe bashkëpunëtorë të Veliajt. Aty, mes darkave dhe takimeve të mbyllura, bëheshin plane për tendera, sulme mediatike, ndarje fondesh dhe koordinime për mbrojtje politike. Kur në zyrat e kryeministrit nisën të qarkullonin informacionet se edhe emri i Ramës mund të shfaqej në këtë dosje, kreu i qeverisë reagoi me nervozizëm. “Qepe dhe je në rregull, edhe unë jam në rregull nëse nuk flet”, dyshohet se është selami që Rama i ka dërguar së fundmi Fugës në Indonezi.
Përzënia nga Kryeministria
Marrëdhënia mes Ramës dhe Fugës nisi të kriset seriozisht në mars të vitit 2023, pas përplasjeve me Erion Veliajn. Tensionet Rama–Veliaj kishin nisur menjëherë pas zgjedhjeve të 2021, kur kryebashkiaku sabotoi zgjedhjet duke kapur rezultatin më të dobët elektoral të PS-së në Tiranë. Nga ana tjetër megjithëse Rama e kandidoi Fatmir Xhafajn për ta “djegur” politikisht, Veliaj vuri në lëvizje gjithë strukturat e Bashkisë për t’i siguruar votat Xhafajt. Rezultati i tij dhe sabotimi i Veliajt bënë që Rama të ftohte marrëdhëniet me të dhe me grupin e G99, që tashmë synonte uzurpimin e PS-së. Edhe pse Fuga ishte njeriu më i besuar i Ramës, ai raporton gjithçka tek shefi i ish-G99, formacion politik i krijuar bashkë me Arbi Maznikun, Erion Veliajn dhe Marinela Likajn. Liderët e G99 mendonin se kishte ardhur koha të “forconin dhëmbët” për të kafshuar Ramën.
Gjatë kohës pranë kryeministrit, Fuga kishte qenë kyç në lëvizjen e fijes së tenderëve, fondeve dhe emërimeve ministrore, duke ndërtuar një pushtet absolut mbi mediat dhe përfitimet e pushtetit. Ky grupim arriti të krijonte një bllok të fortë parlamentar me deputetë si Fatmir Xhafaj, Etjen Xhafaj, Toni Gogu, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, dhe Blerina Gjylameti etj që punonin për axhendën “post-Rama”. Struktura e tyre u shtri në drejtësi, gjykata, Avokatin e Popullit, KLGJ dhe institucione kyçe të PS-së. Në këtë kohë, ndërsa Veliaj po gërryhej nga brenda me bandën “5D”, Fuga u vu nën vëzhgim për ndërhyrjet e tij në qeveri për favorizime të dyshimta. Takimet në lokalin e përgjuar u bënë qendra e planeve për të ardhmen, kur të merrnin në dorë gjithë pushtetin. Lojërat e Fugës nuk i pëlqyen Ramës, i cili në mars 2023 e largoi nga Kryeministria. Pas kësaj, Fuga nuk u pa më në asnjë aktivitet pranë tij.
Ikja drejt Xhakartës
Duke parë situatën e Veliajt dhe presionin e SPAK, Fuga mori rrugën drejt Xhakartës bashkë me familjen, në një vend pa marrëveshje ekstradimi. I ndihmuar nga rrjeti i George Soros, ai u punësua në shoqatat e tij dhe ndihet i sigurt nga ndonjë goditje e fortë ligjore. Në përgjimet e SPAK, Veliaj dyshohet se e referonte me pseudonimin “Redaktori”, duke pranuar se të gjitha operacionet mediatike të grupit kontrolloheshin prej tij. Ndryshe nga Mazniku, që në mënyrë të çuditshme vijon të rrijë pranë Ramës pavarësisht hetimeve të SPAK dhe kontrollit të banesës, Fuga u pozicionua hapur pranë Veliajt, duke komanduar mediat dhe gazetarët për ta mbështetur kryebashkiakun në betejën e tij.
Lufta Veliaj–Tahiri
Kujtojmë se përgatitja e Veliajt për t’i zënë vendin Ramës kishte nisur që në momentin kur PS erdhi në pushtet. Partia ishte ndarë në dy klane: ai i Saimir Tahirit, i lidhur me figura të vjetra të PS-së si Fino, Dako, Blushi dhe të tjerë; dhe ai i G99, me Fatmir Xhafajn si aleat të fortë të Veliajt, i cili pas zgjedhjes si kryebashkiak e punësoi dhëndrin e tij si shef të urbanistikës në Bashki. Tahiri, si ish-ministër i Brendshëm dhe kryetar i PS-së Tiranë, kishte një rrjet të konsoliduar mbështetësish sidomos në Njësinë 6 dhe Kombinat, ndërsa Veliaj, i promovuar si kryebashkiak i Tiranës nga Rama në 2015, ndërtonte një profil publik dhe mbështetje në media, rininë dhe oligarkët. Përplasjet mes tyre ishin jo thjesht personale, por një betejë për kontroll strukturor dhe trashëgimi politike brenda PS-së.
Kjo luftë u manifestua në manipulime votimesh në zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare në 2016, ku secili kamp përpiqej të kontrollonte delegatët dhe forume të rëndësishme. Pasoja ishin goditje nën brez dhe akuza reciproke; për shembull, mediat lidhën Tahirin me publikimin e të dhënave personale të Veliajt për ta diskredituar, ndërsa Veliaj u promovua fuqishëm në media si “punëtor i palodhur”, duke e marginalizuar Tahirin. Shefi i mazhorancës thirri në takim dyshin e PS të asaj kohe, sekretarin e përgjithshëm të asaj kohe, të cilit i dha urdhër të komunikonte si me Veliajn dhe Tahirin që kryetari do të rrinte gjatë në pushtet, prandaj duhet të ishin të kujdesshëm. Fatkeqësisht asnjëri nuk e dëgjoi. Fati i tyre dihet. Të dy përfunduan në burg. Në thelb, kjo histori nuk është thjesht një përplasje personale apo largim i një individi nga skena politike.
Ajo reflekton thellësisht krizën e një partie që po përballet me luftëra për influencë, nënshtrim ndaj interesave të errëta dhe frikën e vazhdueshme nga drejtësia. Ikja e Endri Fugës është një sinjal i qartë se askush nuk është më i paprekshëm dhe se beteja për kontrollin e pushtetit në Partinë Socialiste po kalon në një fazë të re, ku lojërat e brendshme dhe hetimet e SPAK po bëhen një kërcënim real për të gjithë aktorët kryesorë. Në këtë terren të trazuar, e ardhmja e PS-së dhe e qeverisjes së vendit mbetet e paqartë, ndërsa interesat personale vazhdojnë të dominojnë mbi ato të publikut dhe shtetit./sot